KUR DO TË BËHEN PISHINAT E ÇAIRIT? ENDE ASNJË TULLË PËR RIKONSTRUIMIN E OBJEKTIT TË VJETËR

TË FUNDIT

Në një anë është hotel, e në tjetrën magazinë.

Ende askund nuk duket rikonstruimi i objektit të cilin Kryetari i Çairit Visar Ganiu tha se do ta kthejë në pishinë.

Që kur u ndërtua para rreth 50 vitesh, objekti u mendua për pishinë por në fakt asnjëherë nuk u bë i tillë. Memet Haziri banon afër ndërsa TV21 i tha se që ditën kur u ndërtua, objekti u promovua si pishinë por e tillë nuk u bë.

“Prej ’76-tës unë jetoj këtu. Ilindeni e ka ndërtuar. Të gjitha kazanet janë poshtë në bodrum, edhe motorët e ujit, të gjitha i ka vendosur para se t’ia qisnin betonin , pastaj i vunë beton, kinse e ndërtuan”, tha Memet Haziri, banor i Çairit.

Të njëjtin objekt Komuna e Çairit e ka në plan që ta bëjë vërtetë pishinë por edhe pothuajse 2 vite nga mandati i Visar Ganiut, ende këtu nuk ka lëvizur asnjë tullë.

Zëdhënësi i Komunës së Çairit Kushtrim Alla thotë se deri më tani janë marrë me procedurat ligjore për realizimin e projektit.

“Kontrata për përpilimin e fizibiliti studimit është nënshkruar, për këtë si evidencë keni edhe sistemin elektronik për furnizime publike ku mund ta gjeni edhe kontratën. Mjetet e parapara për përpilimin e fizibiliti studimit janë 750 mijë denarë dhe afati për përpilimin e të njëjtave janë 50 ditë pune, respektivisht 2 muaj. Pas përfundimit të fizibiliti studimit, e njëjta do të jepet në revizion deri tek sektori i urbanizmit dhe më pas do të shpallet konkursi për partneritet publiko-privat”, u shpreh Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës së Çairit.

Është çështje 5 ose 6 muajsh deri në nisjen e rikonstruimit të objektit, thonë nga komuna. Përveç kësaj, në Çair planifikohet edhe një pishinë e dytë që do të ndërtohet me para të qeverisë, projekt i Agjencisë për Rini dhe Sport. Lokacioni sapo është përzgjedhur dhe do të jetë fusha e sportit prapa kopshtit “Borëbardha”, që nënkupton se shumë shpejtë fusha do të duhet të prishet për t’i lënë vend pishinës. Për të njëjtën, Komuna e Çairit është në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për leje ndërtimi.

Përgatiti: Besir Arifi