Kupa e Botës në futboll, ngjarja më e madhe sportive në planet, e ka zanafillën në vitin 1930, kur u organizua për herë të parë nga FIFA në Uruguai.
Ideja për krijimin e një kampionati botëror lindi nga presidenti i atëhershëm i FIFA-s, Jules Rimet, i cili synonte të organizonte një garë ku ekipet kombëtare të përballeshin për titullin e kampionit të botës. Në edicionin e parë morën pjesë 13 kombëtare, ndërsa Uruguai u shpall kampioni i parë, pasi mposhti Argjentinën në finale.
Që nga ajo kohë, Kupa e Botës është zhvilluar çdo katër vjet, me përjashtim të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Turneu është shndërruar në ngjarjen më të ndjekur sportive në botë, duke mbledhur miliarda shikues dhe duke krijuar disa nga momentet më të paharrueshme në historinë e futbollit.
Sot nis zyrtarisht edhe edicioni i vitit 2026, i pari në histori që organizohet nga tri shtete pritëse, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika. Ky Botëror sjell një risi të madhe, pasi për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare, duke e bërë turneun më të madh në historinë e Kupës së Botës.
