Kulmi kaloi apo e presim? Përqindja e rasteve të reja ulet dyfish në fundjavën e fundit

TË FUNDIT

A e presim apo tashmë kaloi kulmi i virusit të panjohur?! Për këtë pyetje çdokush ka përgjigje të ndryshme. Sipas profesorëve, kulmi i epidemisë ka kaluar, kurse sipas Ministris së Shëndetësisë ai ende pritet.

Jovica Paunoski, reporter TV21:
-I analizojmë të dhënat e Institutit për Shëndet Publik për personat që janë infektuar me koronavirus. Nga të dhënat mund të marrim përfundim se në Maqedoni e kemi pasur kulmin e të infektuarve të rinj. Ai ka qenë më 16 prill, kur jemi pasur 167 të prekur me koronavirus. Në qoftë se e analizojmë  grafikën e atyre që janë shëruar dhe të pacientëve që kanë ndërruar jetë, mund të konkludojmë se më 13 prill numri ka rritur, kurse prej 14 prillit numri i të shëruarve është rritur në mënyrë drastike. Janë regjistruar 126 persona të shëruar më 14-prill, në krahasim me ditën paraprake kur ka pasur vetëm 3 persona.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë frikë që ky kulm të mos jetë i rrejshëm dhe thonë se nuk do të nxitojnë me vendime. Presin që tendeca e uljes së numrit të të infektuarve të vazhdojë edhe gjatë periudhës në vijim.

“Këtë javë, javën e ardhshme, apo eventualisht periudhën pas 1 majit, ashtu janë parashikimet fillestare. Edhe ne i ndjekim me një grup epidemiologësh, me të cilët punojmë në analizën e të dhënave të cilat përpunohen më mënyrë elektronike. Ne kemi frikë se ky kulm është vetëm një variacion individual, njësoi kur ishte kulmi i epidemisë e ne kishim 100 të diagnostikuar”, tha  Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Por, mikrobiologu Nikolla Panovski nuk pajtohet me faktin se pritet përhapja e koronavirusi. Ai për TV21 thotë se institucionet duhej të ishin më të guximshëm në vendimet që i merrnin, kurse paralajmërimet për kulmin e epidemisë i sheh si përgjigje diplomatike për shkak të fundjavës që vjen.

“Unë mendoj se nëse duhet të sqaroj pse ministria është e rezervuar dhe këmbëngul se kulmi do të jetë për shkak të fundjavës që vjen – më me siguri e kanë të vështirë të shpjegojnë se kulmi i epidemisë ka kaluar 10 ditë më parë, kurse ne tani planifikojmë karantinë 3-ditore. Kjo nuk shkon paralelisht, ndoshta edhe për atë diplomatikisht thonë se jemi duke e pritur kulmin”, tha Nikolla Panovski, mikrobiolog.

Ekspertët thonë se virusi do të kalojë gjatë pushimeve verore, por se pritet një valë e re në vjeshtë. Do të duhet të presim dhe të shohim çka do të ndodhë në vendet që janë në hemisferën jugore, ku tanimë fillon vjeshta dhe vijon dimri.