Në Maqedoninë e Veriut, prej sot qytetarët do të kenë më pak kohë për të lëvizur, kjo për shkak se ora policore do të zgjatet për 5 orë.
Ora policore, prej sot do të fillojë në ora 16:00, ndërkaq do të mbarojë në ora 05:00.
Ndërkaq, ora policore gjatë fundjavës do të jetë e pandërprerë. Do të thotë fillon të premten në ora 16:00, kurse mbaron të hënën në ora 05:00.
Sipas vendimit qeveritar, personat të moshës mbi 67 vjeç, gjatë ditëve të punës, e hënë – e premte, do të mund të lëvizin gjatë periudhës 10:00-12:00, kurse të rinjtë nga ora 13:00 deri në orën 15:00.
Në vende publike gjithashtu është ndaluar lëvizja e më shumë se dy personave në grup, përveç nëse bëhet fjalë për prind me fëmijët e tyre të cilët kanë 14 vjeç. Për aktivitetet bujqësore, është lejuar lëvizja në territorin e fshatrave dhe atë për nevoja të punës.
Ndalesa nuk vlen për policinë, armatën, punonjësit shëndetësor, marketet dhe restorantet që punojnë me dërgesa. Barnatoret do të punojnë pa ndërprerë.
