Kufizohet në 10% marzhi për tregtinë e rrymës! Bekteshi: Ndihmojmë institucionet dhe kompanitë që janë në tregun e lirë

TË FUNDIT

Ndërmarrje publike, shkolla fillore dhe të mesme, e kompani të ndryshme, nuk kanë lidhur me kohë marrëveshje për furnizim me energji elektrike, e si pasojë tani rrymën e paguajnë 50% më shtrenjtë. Këtë e bëri të ditur, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, duke informuar se për ta zbutur krizën është kufizuar marzha për tregtimin e energjisë elektrike në 10%.

 “Ka disa kompani të caktuara, fatkeqësisht edhe ndërmarrje publike, shkolla fillore dhe të mesme të cilat sot e kësaj dite ende nuk kanë lidhur asnjë marrëveshje për furnizim me energji elektrike. Fatkeqësisht, pa nevojë e harxhojnë buxhetin qoftë të vetëqeverisjes lokale ose të ndonjë komune ku janë ato shkolla fillore dhe të mesme ose edhe buxhetin e pushtetit qendror, sepse ato mjete mund të përdoren për investime për përmirësimin e kushteve”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Sipas vendimit të Qeverisë, marzhi i ri duhet të aplikohet para fillimit të sezonit të ngrohjes dhe të jetë i vlefshëm deri më 15 prill 2023. Njëkohësisht, Komisioni Rregullator për Energjetikë ndryshoi Rregulloren e furnizimit me energji elektrike si mjet i fundit, duke ulur marzhin e llogaritur nga furnizuesi përfundimtar siç është EVN nga 50% në 20%.

 “Edhe tregtarët të cilët merren me furnizim të energjisë elektrike që janë të licencuara në shtetin tonë, me vendimin e ri që sot e miratoi Qeveria, nuk mund të vendosin marzha më të mëdha se 10% në përputhje me çmimin që është në bursa momentalisht. Nëse çmimi sot është 400 euro për megavat në orë në HUPEX që është bursë referente për Maqedoninë e Veriut, tregtarët me energji elektrike nuk mund të aplikojnë çmimin më të lartë se 440 euro”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Bekteshi tha se do të publikohen emrat e të gjitha institucioneve publike që nuk kanë ndjekur rekomandimet për të kursyer energjinë elektrike dhe për këtë do të kërkohet përgjegjësi nga ana e udhëheqësit së institucionit.