“Një nga detyrat më të vështira por dhe më seriozet që kemi përpara është të ndërtojmë Një Shtet që Kujdeset për Njerëzit e tij. Fokusi nuk duhet të jetë më “fiton partia ime ose partia jote” por Fiton Populli Ynë!”. Ky status në Facebook nga Arben Taravari, ka ndezur debat me pikëpyetjen se çfarë po paralajmëron kreu i Aleancës për Shqiptarët në kuadër të VLEN-it?! Për më tepër, këtë status Taravari e publikoi mbrëmë, pasi gjatë ditës u pyet se a është takuar me kreun integrist Ali Ahmeti, për çka u përgjigj se takim nuk ka pasur, por ka kanale komunikimi. I pyetur se çfarë ka dashur të thotë Taravari me këtë status, sot ai u përgjigj.
“Është një periudhë e vështirë të cilën e kalon shteti. Katër tragjedi të njëpasnjëshme që ndodhën në Maqedoni këto 5 vitet e fundit. Prej Llaskarcës, Besa Transit, mandej Spitali Modular, tash edhe Koçani. Unë mendoj se sidomos organet e hetuesisë dhe gjyqësisë, aty ku vendosen, duhet të depolitizohen, mos t’i shohim…këto raste nuk shihen më partitë, aspak nuk janë të rëndësishme, i rëndësishëm është qytetari të jetë i qetë dhe i sigurt aty ku lëviz dhe aty ku jeton”, tha Taravari.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se koalicioni qeverisës funksionon shkëlqyeshëm.
“Unë nuk kam informacione të tilla se Taravari dhe VLEN do ta lëshojë koalicionin qeverisës, përkundrazi mendoj se koalicioni funksionon shkëlqyeshëm, e sa i përket zgjedhjeve lokale dhe se si do të pozicionohet koalicioni VLEN, këtë pyetje është më së miri ta adresoni tek ata dhe ata të japin përgjigje”, deklaroi Mickoksi.
Taravari konfirmoi se mbrëmë ka pasur një takim mes liderëve të koalicionit VLEN, por tha se nuk kanë sjell një vendim se si do të dilnin në zgjedhje lokale.
