Ku mbeti 30%-shi i grave në BDI?!/ Elezi: E dhimbshme, BDI ka qenë parti që ka promovuar rolin e femrës

TË FUNDIT

“Nga gjithsej 16 sekretariate, vetëm dy do të udhëhiqen nga gjinia femërore.” Kështu ka reaguar ish-kryetarja e forumit të gruas në BDI, Naile Elezi. E pakënaqur me përfaqësimin e grave në struktura partiake, ajo për TV21 thotë se gratë duhet të përfshihen nga niveli lokal deri te organi më i lartë i partisë që të ketë zë më të fuqishëm të femrës në ato organe.
“Është e dhimbshme që në vitin 2022 pas gjithë atyre proceseve që i kemi kaluar së bashku dhe pikërisht BDI është dhe ka qenë parti që ka promovuar rolin e femrës, sot edhe kur kemi një mekanizëm statutor të mos ketë një përfshirje të lartë të grave në organet partiake, jo vetëm në sekretariate por në të gjitha nivelet.”- deklaroi Naile Elezi, ish-kryetare e forumit të gruas në BDI.

Elezi vlerëson se gratë do të sillnin një energji dhe debat më ndryshe, sidomos në vendet rurale. Por përse po ndodh kjo mos përfshirje, a kanë gratë ambicie që të jenë lidere ose të kryesojnë nëpër pozita udhëheqëse?
“Normalisht që nuk mund ta drejtosh gishtin vetëm nga njëra anë, ne duhet edhe vetë të reflektojmë, megjithatë besoj, shpresoj dhe mendoj se ka hapësirë për një përfshirje më të madhe të grave në organet partiake, pasi që unë prej vitit 2007 deri në vitin 2019 kam qenë në kryesinë qendrore, ne edhe në kohën kur kemi pasur 21 anëtarë kemi qenë tre femra në kryesi, sot kemi 37 anëtarë të kryesisë qendrore dhe kemi 5 femra në kryesi. Besoj që ka hapësirë për një përfshirje më të madhe të grave sepse sot kemi edhe cilësi edhe sasi, po edhe dëshirë nga ana e femrave që të kyçen në proces.”- pohoi Naile Elezi, ish-kryetare e forumit të gruas në BDI.
Zv/kryesministri Artan Grubi, tash i rizgjedhur edhe si shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, thotë më shumë se çdo parti tjetër kanë promovuar rolin e gruas në politikë, ndonëse kjo nuk korrespondon me realitetin.
“Në kongresin e fundit vendosëm me iniciativë të zotri Ahmetit, që ta shkrijmë forumin e gruas në struktura partiake, që nga këshilli vendor, dega, këshilli i përgjithshëm. Po doni me shkri forumin e po jepni vetëm dy sekretariate. Prandaj u inaugurua sekretari për mundësi të barabarta të gjinive, po flasim për gra dhe meshkuj dhe mos të funksionojë forumi i gruas jashtë organeve të partisë.”- deklaroi Artan Grubi – Zv/Kryeministër i Parë.

Përndryshe aktualisht BDI nuk ka asnjë ministre grua a vajzë, as zëvendësministre dhe as kryetare komune. Përveç dy sekretariateve që do të udhëhiqen nga gratë, në kongresin e fundit Arbana Pasholli u përzgjodh nënkryetare, Saranda Imeri sekretare për Mundësi të Barabarta, ndërsa në mes 24 anëtarëve të kryesisë, janë dy zonja, Teuta Arifi dhe Ardita Dani.