Klubi bullgar me emrin e bashkëpunëtorit fashist “Vanço Mihajllov” u fshi nga Regjistri Qendror. Kjo pasi edhe Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga e refuzoi kërkesën e klubit për ta mbajtur emrin. Mendim negativ për këtë emër paraprakisht dha edhe Komisioni për emrat dhe personalitetet. Në arsyetim theksohej se emri Vanço Mihajllov nxit fyerje dhe provokim të ndjenjave të popullit maqedonas, duke qenë se bëhet fjalë për një person të afërt me ideologjinë fashiste. Por Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, vendimin e Maqedonisë së Veriut për klubet e sheh si shprehje të panikut. Madje foli edhe për bullgarë të shekullit të 13.
“Shumë keq. Vendimi është shprehje e panikut dhe pafuqisë. Shkupi duhet ta pranojë se ka Bullgarë të Maqedonisë, se ka prani bullgare në RMV. Jo që sot e që dje, por me shekuj, nga viti 1300. Ka histori bullgare… Ndalimi i emrave të klubeve bullgare nuk do ti ndalojë këmbënguljen e Bullgarisë dhe partnerëve europianë që RMV ti shkruajë bullgarët në Kushtetutë.”- deklaroi Rumen Radev, President i Bullgarisë.
Në fakt, përveç VMRO-DPMNE-së dhe disa subjekteve të tjera minore, askush në Maqedoninë e Veriut nuk është kundër futjes së bullgarëve në Kushtetutë. Ndalimi i përdorimit të emrave si “Vanço Mihajllov” për klubin në Manastir dhe “Car Borisi i Tretë” në Ohër është bërë për shkak se shihen si figura kontroverse historike që kanë bashkëpunuar me fashistët. Nga ana tjetër, Radev flet për prani bullgare në Maqedoninë e Veriut që në shekullin e 13, e as këtë nuk e mohon askush, se këtu jeton një komunitet bullgar, por me sa duket këta nuk kanë ndonjë dëshirë të madhe për të votuar në zgjedhjet e ardhme bullgare, ose ndoshta me pasaportë bullgare kanë ikur jashtë Maqedonisë.
Votues nga RMV në zgjedhjet në Bullgari
Numri total: 169 janë paraqitur
• Shkup 14
• Manastir 9
• Kavadar 42
• Prilep 41
• Tetovë 40
• Strumicë 20
Siç shihet nga këto të dhëna të kumtuara nga Ministria e Jashtme bullgare, askush nga Ohri nuk është paraqitur për të votuar për zgjedhjet në Bullgari, e për çudi pikërisht në këtë qytet u hap klubin me emrin “Car Borisi i Tretë”!
