Për herë të fundit ka dalë në press konferencë para 6 muajve. Edhe pse është ministër për komunikim, llogaridhënie dhe transparencë, ish gazetari Robert Popovski që nga fillimi i gjendjes së jashtëzakonshme, aspak nuk është paraqitur në publik.
“Kjo është përmbajtja e parë qeveritare e cila në një mënyrë të këtillë, pa paragjykime dhe komplekse del para opinionit publik. Për këtë qëllim ishte e nevojshme që të formojmë sektor profesional për komunikim, i cili do t’u jetë në shërbim qytetarëve, gazetarëve dhe mediave”, tha Robert Popovski, Ministër për transparencë.
Çfarë bën Popovski në Qeveri dhe për çka e paguajnë qytetarët? LSDM-ja, vendin e ministrit pa resor, i angazhuar për komunikim, llogaridhënie dhe transparencë e promovoi si risi në Qeverinë e re, me premtim se përfundimisht në Qeveri do të ketë një person, detyra e të cilit do të jetë të komunikojë me opinionin publik. I pyetëm qytetarët nëse kanë dëgjuar për të dhe nëse dinë se çka punon ish gazetari i cili shpeshherë e atakonte Qeverinë e mëparshme për jo transparencë, ndërsa tani është ministër në Qeverinë aktuale?
Qytetarë:
-Robert Popovski? Nuk më kujtohet. Ministër i jashtëm? Jo, nuk e di.
-Nëse nuk gaboj, ishte deputet në Parlament.
-Nuk e njoh. Aq shpesh i ndryshojnë, me të vërtetë nuk e di se kush është.
TV21 e kërkoi që ta pyesë ministrin Popovski se cilat janë arsyet që një kohë të gjatë nuk ka dalë në publik.
“Në këtë periudhë jam i sigurt se më e rëndësishme është që njerëzit të cilët janë të angazhuar për menaxhim të krizës, të dalin në publik para qytetarëve. Ata janë personat kyçe që i udhëheqin politikat, i menaxhojnë gjendjet dhe i prezantojnë propozimet e qeverisë”, tha Robert Popovski, Ministër për transparencë.
I pyetur për transparencën e të dhënave për sjelljen e dispozitave dhe për procesin e furnizimeve publike, Popovski na u përgjigj:
“Së bashku me përkrahësit tanë ndërkombëtarë e përgatis veglën për transparencë që do t’i sublimojë në një vend të gjitha aktivitetet e qeverisë. Duhet të jenë në një vend të gjitha furnizimet, pagesat dhe transferimet, të gjitha donacionet dhe subvencionet”, tha Robert Popovski, Ministër për transparencë.
Popovski tha se pas përfundimit të krizës, në veglën e cila do të jetë në ueb faqen e Qeverisë, do të vendosen të gjitha kursimet e bëra në buxhet gjatë krizës.
