Disa orë më parë, Donald Tramp kryesonte në Gjeorgji, por dallimi ngushtohej, kështu që tani demokrati Xho Bajden ka avantazh prej mbi 900 votash. Me kalimin e kohës, u bë e qartë se Bajdeni është më afër Shtëpisë së Bardhë. Për momentin, ai ka 264 vota elektorale, kundrejt Trampit i cili ka 213. Nëse Bajdeni fiton në Gjeorgji, do të ketë plus 16 vota, që do të jetë e mjaftueshme që të ulet në kolltukun presidencial. Mbrëmë vonë u prononcua edhe kandidati i Demokratëve, i cili thirri për qetësi derisa nuk përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave.
“Nuk dyshojmë se kur të përfundojë numërimi, unë dhe senatori Haris do të shpallemi fitues. Prandaj, i lus të gjithë të jenë të qetë, të gjithë njerëzit të mbesin të qetë. Procesi vazhdon, numërimi nuk ka përfunduar, do të mësojmë shumë shpejt”, deklaroi Xho Bajden-kandidat i demokratëve.
Trampi pothuajse gjatë gjithë kohës ishte në epërsi, por tani situata ndryshoi dhe Bajdeni ka epërsi të vogël. Në Gjeorgji kanë mbetur edhe pak vota për t’u numëruar. Në rast se Bajdeni nuk arrit të fitojë në këtë shtet, atëherë do të duhet të shënojë fitore në Pensilvani, ku rezultati është i barazuar.
“Nëse i numëroni votat e ligjshme, unë do të fitoj shumë lehtë. Nëse i numëroni votat e paligjshme, ata do të tentojnë t’i vjedhin zgjedhjet tona. Nëse i llogarisim votat që arritën vonë, ndaj tyre shohim me shumë shpresë. Por, shumë vota mbërritën vonë. Unë tashmë fitova në shumë shtete kritike, duke shënuar fitore edhe në Floridë, Ajovë, Indianë, Ohajo etj. Fituam atje, por fituam edhe në shumë të tjera, edhe përkundër ndërhyrjes historike në zgjedhje nga ana e mediave të mëdha, parave të mëdha dhe teknologjisë së madhe”, deklaroi
Donald Tramp-kandidat i republikanëve
Disa rrjete televizive amerikane mbrëmë ndërprenë transmetimin e drejtpërdrejtë të fjalimit të Donald Trampit, pasi kanë konstatuar se po përhapte dezinformata.
Ndryshe, në shtetin federal Pensilvani, pritet që sot të numërohet pjesa më e madhe e votave për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Këtë e deklaroi sekretari i këtij shteti, duke shtuar se duhet të përpunohen edhe qindra mijë vota të tjera.
