Nuk ka ndryshim në rezultatet fillestare që i publikoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pasi Gjykata Administrative nuk pranoi asnjë prej 185 padive të paraqitura nga ana e pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.
“Për sa i përket organizimit dhe zhvillimit të votimit, nuk kishte asnjë vërejtje serioze nga ana e qytetarëve dhe të pranishmëve që e vëzhguan procesin. Ajo që ndodhi me publikimin e rezultateve, ju ishit dëshmitarë se ishte cak i një sulmi nga jashtë”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.
Hetimi për sulmin po vazhdon, por tani për tani ende nuk dihet kush qëndron pas hakimit të sistemit. Në seancën solemne, KSHZ-ja duhej t’i dorëzonte vërtetimet 120 deputetëve të rinj, por edhe pse termini ishte saktë në mesditë, deri në orën një askush nuk u paraqit në komision. Të parët erdhën dy deputetët e VMRO-DPMNE-së, Zdravko Trajanov dhe Daniella Hristova, pastaj erdhi përfaqësuesi i autorizuar i BDI-së, e pastaj edhe ai i LSDM-së. Nuk erdhën vetëm përfaqësues të partisë E Majta dhe të PDSH-së. Edhe pse përfaqësuesi i koalicionit ASH-AAA ishte prezent, megjithatë atij nuk i ishte dorëzuar vërtetimi, sepse nuk ka qenë i autorizuar për këtë.
“Procesi zgjedhor ishte në rregull. Ne nuk kemi kurrfarë vërejtje. I uroj të gjithë deputetët”, tha Fitim Lloga nga BDI.
“Për shkak të kushteve në të cilat gjendet vendi ynë dhe më gjerë, vendosëm që në këtë mënyrë t’i marrim vërtetimet për koalicionin “Mundemi”. U falënderoj të gjithëve që morën pjesë në këtë proces zgjedhor”, u shpreh Bbranko Gjorgjievski nga LSDM.
“Atë që kishim mundësi ta shohim në zgjedhjet është se edhe përkundër të gjitha parregullsive, ryshfeteve dhe gjithçka që ndodhi gjatë dhe para fushatës – opozita dhe partitë opozitare arritën të sigurojnë më shumë vota se struktura qeverisëse”, theksoi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
Sipas Kushtetutës, tani Parlamenti duhet të konstituohet më së voni brenda 20 ditëve nga mbajtja e zgjedhjeve, kurse seancën konstitutive të përbërjes së re parlamentare duhet ta thërrasë ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi jo më vonë se 4 gusht.
Nëse Xhaferi, i cili dje ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup, nuk ka mundësi ta caktojë seancën, atëherë dispozitat kushtetuese dhe ligjore parashohin se këtë duhet ta bëjë deputeti më i moshuar nga përbërja e re parlamentare.
Pas konstituimit të Parlamentit, Presidenti i shtetit është i detyruar që brenda 10 ditëve, mandatin për formim të Qeveria t’ia dorëzojë partisë, respektivisht partive të cilat e kanë siguruar shumicën e duhur në Parlament. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e marrjes së mandatit, në Kuvend duhet ta paraqesë programin e tij dhe propozim-përbërjen e Qeverisë.
Këto ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare dhe zgjedhjet e pesta të parakohshme parlamentare që nga pavarësia e vendit. Ky cikël zgjedhor u mbajt në kushte specifike për shkak të pandemisë me Kovid-19 dhe nën protokolle të veçanta shëndetësore për mbrojtje të administratës zgjedhore, pjesëmarrësve në procesin zgjedhor dhe popullsisë nga koronavirusi.
