Edhe këtë vit, për sigurinë e notarëve dhe pushuesve në Liqenin e Ohrit do të kujdesen ekipet e shpëtimtarëve të trajnuar nga Kryqi i Kuq i Ohrit. Tradicionalisht, muaji qershor shënon fillimin e trajnimeve intensive dhe përgatitjeve për sezonin turistik veror, i cili tashmë ka filluar. Sipas kryetarit të Kryqit të Kuq të Ohrit, Sasho Toçkov, këtë vit është vërejtur një interesim më i madh nga koncesionarët për rojet bregdetare. Megjithatë, ai thekson se ende ekzistojnë paqartësi dhe mungesë koordinimi mes shtetit, vetëqeverisjes lokale dhe koncesionarëve.
“Duhet të them se ende nuk është e rregulluar siç duhet marrëdhënia mes shtetit, pushtetit lokal dhe koncesionarëve. Nuk dihej qartë se cilat pjesë të bregut janë dhënë me koncesion, nëse ato mund të menaxhohen dhe në shumë raste janë vendosur shazlone pa asnjë leje, pa kushte për mbrojtje të notarëve, sportit apo aktiviteteve rekreative. Mendoj se gradualisht do të vendoset rend edhe në këtë aspekt”, tha Sasho Toçkov – Kryetar i Kryqit të Kuq-Ohër.
Kryqi i Kuq i Ohrit vlerëson se ka ende shumë punë për të arritur sigurinë maksimale në këto zona turistike, jo vetëm gjatë sezonit veror, por gjatë gjithë vitit.
“Siguria duhet të ngrihet në nivelin më të lartë dhe shpresojmë që në të ardhmen, Kryqi i Kuq i Ohrit të mund të sigurojë një anije-ambulancë që do të shërbente gjatë gjithë vitit. Kjo anije do të ishte në funksion të qytetarëve, qoftë për raste urgjente nga Struga në Kardiologji apo nga Ohri në Ortopedinë e Shën Erazmos. Ky është një prej qëllimeve tona afatgjata”, u shpreh Sasho Toçkov – Kryetar i Kryqit të Kuq-Ohër.
Në një kohë kur turizmi në Ohër dhe Strugë po merr gjithnjë e më shumë hov, siguria në ujë mbetet prioritet. Toçkov shtoi se përpjekjet e Kryqit të Kuq dhe bashkëpunimi institucional janë thelbësore për të garantuar jo vetëm pushime të qeta, por edhe jetë të shpëtuara.