Ashtu siç ka shkruar edhe më herët TV21, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, planifikon të formojë parti politike. sipas saj, ideja ka ekzistuar prej kohësh dhe është bazuar në vlerësimin e këshilltarëve të saj se ka pasur mbështetje të madhe nga qytetarët, intelektualët, sektori i shoqërisë civile, pjesë e votuesve të pavendosur.
Danella Arsovska konfirmoi për emisionin “Click Plus” në TV21 se tashmë është në proces të formimit të partisë së saj.
E pyetur nëse do të jetë kryetare e kësaj partie, Arsovska nuk është përgjigjur konkretisht, por ka theksuar se dëshiron t’u tregojë qytetarëve se mund të bëjë më mirë.
“Përderisa të bëhen gjërat për të kënaqur nevojat individuale të disa politikanëve, të një pjese të kësaj elite politike të korruptuar, nuk do të ketë përparim në vendin tonë. Dhe nëse vetëm unë si individ mund të tregoj se është e mundur ndryshe, besoj se me gjithë njerëzit që më përkrahin dhe numri i atyre qytetarëve është i madh, do të mund të tregoj më shumë”, thotë Arsovska.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në orën 21:30 në TV21
