Kryetarja e ekstremit të djathtë në Itali, kundër BE-së dhe emigrantëve

TË FUNDIT

Liderja e ekstremit të djathtë në Itali, Giorgia Meloni ka nisur zyrtarisht përpjekjet për t’u bërë e para kryeministre femër e vendit në zgjedhjet e shtatorit. Ajo iu është drejtuar me një pyetje mbështetësve: “Unë jam gati, po ju?”.

“Unë nuk kam frikë, jam gati ta udhëheq këtë betejë. Por a jeni ju gati? A është ky vend gati të pyesë veten mbi arsyet përse një lëvizje si Vëllezërit e Italisë përflitet çdo ditë sikur të ishte një përbindësh nëpër gazeta, ndërkohë që ka mbështetjen e 25 për qind të italianëve?” tha Giorgia Meloni, kryetare e “Vëllezërit e Italisë”.

Gjatë fjalimit të saj thuajse një orë, Meloni kritikoi ato që i quajti mashtrimin e BE-së, globalizimin, kufizimet e coronavirusit dhe emigracionin në masë.

Ajo po lufton në këto zgjedhje si pjesë e koalicionit me Ligën e Veriut të Matteo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit, por partia e saj po i eklipson ata në sondazhe.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Itali u vendos në fund të korrikut, pas rënies së qeverisë së kryeministrit Mario Draghi. Përballë subjektit Vëllezërit e Italisë së Melonit është partia e majtë Demokratike. Aleanca e qendrës së majtë u shpërbë më pak se një javë nga bashkimi.