Pasi që Instituti për Shëndet Publik doli me numra të rritur të të infektuarve me Covid-19 , krerët e komunave të prekura dolën me apel deri tek banorët e tyre që t’i respektojnë masat e mbrojtjes nga koronavirusi. Kryetari i Çairit, Visar Ganiu, ka apeluar tek bashkëqytetarët për më shumë kujdes dhe kërkon të vazhdohet me mbajtje të maskave, distancës fizike, larjen dhe dezinfektimin e vazhdueshëm të duarve.
“Jam i vetëdijshëm për durimin e harxhuar dhe dëshirën për kthimin në normalitet, por rreziku ende ekziston dhe mundësia për prekje nga virusi ende është e madhe, prandaj të bëhemi shembull i mirë i kësaj ngjarjeje dhe jo e kundërta. T’u përmbahemi masave të domosdoshme për virusin deri në përfundim të situatës”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Cairit.
I pari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov tha se mosrespektimi i protokolleve do të na kthejë prapa në kushte të karantinës dhe orëve policore, dhe pikërisht për këtë bën thirrje që secili të respektojë rekomandimet dhe protokollet e punonjësve shëndetësorë.
“Unë në disa raste sa i përket sjelljes sociale dhe moszbatimit të politikave restriktive nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme kam dhënë deklarata serioze, qëndroj pas tyre. Veçanërisht që numri i sotëm i të infektuarve përsëri për fat të keq po rritet sa i përket dy punëve, së pari u krijua atmosferë e rreme në shoqëri se problemi me epideminë është tejkaluar, ndërsa nuk është tejkaluar. Një pjesë e mirë e kësaj ka të bëjë me deklaratat fatkeqe të ministrit të Punëve të Brendshme dhe mosveprimit të policisë sa i përket masave restriktive”, tha Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Edhe kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi kërkoi të njëjtën gjë.
-“Kërkojmë duke ju lutur me sinqeritetin më të madh që në përpikmëri t’i përmbahemi respektimit të rekomandimeve”, tha Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.
Flitet për 52 raste të reja të të infektuarve, edhe atë 26 janë nga Shkupi, 9 nga Tetova, 7 nga Shtipi, 6 nga Kumanova, 2 nga Struga, 1 nga Velesi dhe 1 nga Koçani. Këto raste janë zbuluar nga 661 teste të bëra në total.