Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi sot përmes një postimi në Facebook se në Alanya të Turqisë ka marrë Çmimin Global për Diplomaci nga Këshilli Global për Gazetari (GJC), përcjell TV21. Çmimi iu dorëzua Gashit nga Mevlut Çavusoglu, deputet aktual dhe ish-ministër i Jashtëm i Turqisë. Gashi thekson se ky vlerësim është njohje për përkushtimin e Kuvendit në fuqizimin e diplomacisë parlamentare, transparencës dhe përgjegjshmërisë.
“Në Alanya, Turqi, në një ceremoni të jashtëzakonshme dhe atmosferë të ngrohtë miqësore, pata nderin të pranoj Çmimin Global për Diplomaci nga Këshilli Global i Gazetarisë (GJC). Ky vlerësim është një mirënjohje për përkushtimin tonë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të forcuar diplomacinë parlamentare, transparencën dhe llogaridhënien. Në një kohë kur zërat shpesh ngrihen më shumë se argumentet, dhe kur informacioni ndonjëherë humbet drejtësinë përballë shpejtësisë, ky çmim më kujton se diplomacia e vërtetë dhe puna e përgjegjshme ndërtohen mbi respekt, mirëkuptim dhe dialog të hapur.Jam thellësisht mirënjohës Këshillit Global të Gazetarisë, organizatorëve dhe jurisë për këtë nder të madh!”, shkroi Gashi në postimin e tij.
