Kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi ka shpëtuar i padëmtuar mbrëmë nga një sulm me dron në rezidencën e tij në Zonën e gjelbër në Bagdad, njoftoi kabineti i tij.
Ky njoftim vjen në kohën e përshkallëzimit të tensioneve të lidhura me refuzimin e milicive të përkrahura nga Irani, që të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar.
“Rezidenca e Bagdadit në Zonën e gjelbër është goditur me sulm rakete mbrëmë”, kumtoi Kabineti i kryeministrit përmes një deklarate.
Kadhimi nuk është lënduar nga sulmi, i cili në deklaratë është konsideruar “tentim-vrasje e dështuar” me dron.
Zona e Gjelbër përfshin ndërtesat e Qeverisë irakiane dhe ambasadat. Qeveria irakiane nuk ka ofruar më shumë hollësi dhe ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Kadhimi ka bërë thirrje në Tuiter për “qetësi dhe përmbajtje nga secili, për hir të Irakut”.
Ai më vonë është paraqitur në një transmetim televiziv me pamje të qetë. “Sulmet me dron dhe raketa nuk ndërtojnë atdheun dhe nuk ndërtojnë të ardhmen”, ka thënë ai.
SHBA-ja e ka dënuar sulmin duke theksuar se janë qetësuar kur kanë kuptuar se kryeministri nuk është lënduar. “Ky akt që duket si terrorizëm, të cilin ne e dënojmë, është drejtuar në zemër të shtetit irakian”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit”, Ned Prajs.
Qindra mbështetës të fraksioneve pro-iranaine në Irak, kanë protestuar afër Zonës së gjelbër, për shkak të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare më 10 tetor.
Protestat janë mbajtur edhe më 6 nëntor, një ditë pasi një protestues është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve me policinë.
Ata janë parë edhe duke djegur portretin e Kadhimit, duke e cilësuar “kriminel”.
Rezultatet preliminare kanë treguar se Aleanca Fatah – krah politik i rrjetit paramilitar pro Iranit, Hashed al-Shaabi – ka humbur një numër të konsiderueshëm të ulëseve në parlament.
