Kryediplomati belg: Kosova të zgjidhë bllokimin politik dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë

TË FUNDIT

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar për vizitën e tij që zhvilloi të enjten në Kosovë, ku ka treguar për takimet që ka zhvilluar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti dhe homologun e tij, Glauk Konjufca.

Ai ka kërkuar nga krerët e Kosovës të gjejnë një zgjidhje për stabilitet institucional, si dhe të vazhdojnë dialogun me Serbinë.

“E inkurajoj Kosovën të gjejë një zgjidhje për bllokimin aktual institucional dhe të punojë drejt një stabilizimi të shpejtë të situatës së brendshme politike, duke përfshirë vëmendjen e vazhdueshme për uljen e tensioneve, veçanërisht në veri. Rruga europiane e Kosovës meriton vëmendjen dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme. Ajo duhet të mbështetet nga një progres i besueshëm. I përgëzoj përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim. Këto përpjekje tani duhet të njihen edhe nga BE-ja në tërësi. Belgjika do të jetë një avokate e fortë për këtë qëllim”, ka shkruar ai.

Megjithatë, ai potencoi se kjo rrugë europiane duhet të shkojë së bashku me “një riangazhim” në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe me “përparim të prekshëm” në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

“Kjo është thelbësore për stabilitetin rajonal. Shkurt: Belgjika është dhe do të mbetet një mbështetëse e vazhdueshme e perspektivës europiane të Kosovës. Llogaritni në angazhimin e Belgjikës!”, thotë ai.

Prevot përmendi edhe bashkëpunimin për kapacitetet e burgjeve pasi vendi i tij kishte shprehur interesim për t’i marrë në shfrytëzim institucionet korrektuese në Kosovë.

“Belgjika mbetet e përkushtuar për të forcuar dialogun politik dypalësh dhe për të thelluar bashkëpunimin policor dhe të migracionit, si dhe bashkëpunimin në fushën e kapacitetit të burgjeve”, ka shkruar Prevot.

Prevot ka treguar edhe për vizitën që i ka bërë KFOR-it.

“Vizita ime nxjerr në pah angazhimin konkret të Belgjikës në dhe për Kosovën, duke përfshirë kontributin tonë në siguri përmes KFOR-it – të cilin e vizitova dhe të cilit i përsërita mbështetjen tonë – dhe përmes projekteve të kryera në kuadër të Këshillit të Europës”, ka shkruar ai.