Ndalesa për përdorimin e ujit të pijshëm vazhdon në Krushevë dhe Pllasnicë, ndërsa në Vallandovë uji tashmë është shpallur i sigurt për konsum. Në Krushevë, Qendra e Shëndetit Publik ka konstatuar praninë e baktereve në ujë, ndërsa ndalesa do të mbetet në fuqi deri në marrjen e tre rezultateve të njëpasnjëshme pozitive nga analizat, përcjell TV21. Sipas ndërmarrjes publike “Komuna”, problemi është shkaktuar nga ndërprerja e procesit të klorimit për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Probleme të ngjashme vazhdojnë edhe në Pllasnicë, ku banorët nuk duhet ta përdorin ujin nga ujësjellësi publik as për pije dhe as për përgatitjen e ushqimit. Analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e baktereve koliforme dhe të Esheria Kolit, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e shkakut të ndotjes. Ndërkohë, në Vallandovë është hequr ndalesa për përdorimin e ujit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori këtë vendim pas analizave të Institutit për Shëndet Publik, të cilat treguan se niveli i arsenit është brenda kufijve të lejuar, me 1,47 mikrogram për litër, nga maksimumi i lejuar prej 10 mikrogramësh.
