Kroacia nuk mund të pranojë më refugjatë

TË FUNDIT

Kryeministri kroat Zoran Milanoviq thotë se vendi i tij nuk do të vazhdojë t’i regjistrojë refugjatët që futen në vend, pasi mbi 11 mijë vetë u futën këtë javë në Kroaci.

Kroacia mbylli mbrëmë shtatë nga tetë pikat e kalimit me Serbinë, pas një dyndjeje të refugjatëve të cilët nuk futeshin dot më në Hungari si rezultat i mbylljes së kufirit.

Në një intervistë sot për televizionin kroat, Milanoviç tha se Kroacia është një vend i vogël. Megjithëse refugjatët janë të mirëpritur të kalojnë përmes Kroacisë si vend transit, ky vend nuk mund t’i strehojë ata, tha kryeministri. Ai shtoi se refugjatët do të marrin furnizime me ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore por duhet të vazhdojnë rrugën për të dalë nga Kroacia.

Milanoviç premtoi se nuk do të dërgojë trupa qeveritare në kufi, duke e cilësuar një akt të tillë si “jokushtetues dhe të parealizueshëm”.