Pas “goditjes” që morën nga virusi korona, e tash nga kriza ekonomike dhe energjetike që po i godet dyfish, zanatçinjtë janë duke shkuar drejt mbylljes, e ndoshta edhe zhdukjes. Ankohen se nga shteti nuk marrin ndihma për të mbijetuar, ndërsa puna e tyre ka rënë dukshëm. Kryetari i Odës së Zanatçinjve në Strugë thotë se puna ka rënë për 50%.
“Më parë ka pasur rreth 200 zanatçinjtë të regjistruar dhe me kalimin e kohës ka rënë interesimi dhe po mbyllen shumë dyqane të zanatçinjve dhe dita ditës ky numër po zvogëlohet”- deklaroi Kujtim Ajdo, kryetar i Odës së Zanatçinjve – Strugë.
Ai thotë se nga shteti kanë kërkuar që të marrin subvencione për krizën energjetike po deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje për ndihmë.
“Tani me krizën dhe me virusin korona dhe tani edhe me luftën në Ukrainë ka rënie të madhe të punës edhe atë deri në 50% puna ka rënë. Paguajmë rrymë industriale dhe vështirë po e përballojmë këtë krizë, po mundohemi të kursejmë. Kemi kërkuar nga qeveria të na subvencionojë por nuk kemi përgjigje”- tha deklaroi Kujtim Ajdo, kryetar i Odës së Zanatçinjve – Strugë.
Nga ana tjetër, të rinjtë as që duan të dëgjojnë për zanatet, sepse kjo veprimtari ka shumë punë, por pak të ardhura.
“Interesimi i të rinjve për të mësuar zanate është pothuajse zero. Kjo ndikon sepse të rinjtë e shohin se perspektiva është shumë e vogël në pjesën tonë si zanatçinj dhe një numër i madh i të rinjve ikin jashtë. Vështirë jetohet me zanate duhet shumë punë të themi nga 12 orë të japësh mund që të që të mund ta përballosh këtë krizë”.
Para pandemisë së virusit korona, ishin mbi 200 zanatçinj të regjistruar, ndërsa tani numri ka rënë në 150.
