Mbi 150.000 turistë këtë verë kanë udhëtuar në Turqi, megjithatë nevojiten edhe 5 sezone të suksesshme turistike që turizmi të kthehet në nivelin ku ishte para pandemisë, thotë kryetari i Odës së Turizmit dhe Hotelierisë, Arkan Kerim.
“Vetëm në aerodromin e Antalisë mbërritën 72.000 turistë nga Maqedonia. Nëse i merrni parasysh edhe destionacionet e tjera, vetëm me avion kanë udhëtuar 80-90 mijë. Nuk kemi informacione sa kanë udhëtuar me makinë. Gjithashtu edhe Greqia ishte vend i vizituar, Shqipëria, Mali i Zi…Domethënë mund të thuhet se ishte sezon i mirë për agjencitë turistike që kanë oferta për udhëtime jashtë vendit”, tha Arkan Kerim, kryetar i Odës së Turizmit dhe Hotelierisë.
Sa i takon turizmit hyrës, 50% e hoteleve në vend janë të mbyllura. E kjo ishte arsyeja edhe për uljen e numrit të turistëve të huaj që vizituan vendin tonë këtë vit, në krahasim me vitin e kaluar. Me ndihmën e Qeverisë, sqaron Kerim, për 99% do të shpëtonte ky sektor edhe për sezonin e ardhshëm kur bëhet fjalë për sektorin e hotelierisë.
“Shpresojmë se siç u morëm vesh me ministrin e ekonomisë, të gjitha restorantet dhe hotele me qarkullim prej 2 milionë eurove, të vendosen në listë të privilegjuar për furnizim me energji elektrike”, shtoi Kerim.
Një problem tjetër me të cilin po ballafaqohet ky sektor është fuqia punëtore. Ai thotë se mungojnë 50 mijë punëtorë. Tashmë ka të huaj të interesuar të cilët duan të punojnë në hotelet dhe restorantet në vend, për të njëjtën rrogë që u ofrohet punëtorëve tanë.
“Shteti në bashkëpunim me ekspertët e këtij sektori, me ASHAM, së bashku me universitetet, duhet të bëjnë strategji për 10 vitet e ardhshme që të plotësohet numri i punëtorëve që mungojnë. Si të plotësohet? Të sillen njerëz që do të jetojnë dhe punojnë në vendin tonë. Ne mund të importojmë punëtorë nga Filipinet, Indonezia dhe Turqia”, tha Kerim.
Shoqëria duhet t’i pranojë këta njerëz. Sa janë larguar aq duhet importuar, për shkak se asnjë sektor nuk do të ketë punëtorë duke marrë parasysh se sa importojnë Dubai dhe Katar punëtorë nga Pakistani dhe Filipinet, shtoi ai.
