Kanali që bashkon Europën me Britaninë e madhe, La Manshi, është kthyer në pikën më kritike të krizës së emigrantëve. Gjendja është shpërthyese nga çdo pikëpamje.
Kriza e emigrantëve sa vjen e bëhet më shpërthyese. Rreth 1700 persona u përleshën me policinë në kanalin e La Manshit mbrëmjen e së dielës. Kjo ishte nata më e vështirë për emigrantët, të cilët, të pozicionuar në zonën e quajtur Xhungël, dukej se ishin të gatshëm për të bërë çdo gjë për të hyrë në territorin britanik. Ata prishën gardhet e krijuara posaçërisht për ta dhe sulmuan policinë, duke i goditur agjentët me gurë.
Për pasojë, një polici francez iu desh edhe ndërhyrja e mjekëve për të qepur plagët që iu shkaktuan në kokë. Nën thirrjet “Hapni kufijtë”, “Ne nuk kemi frikë”, “Jemi këtu për një jetë më të mirë”, “Pse jetojmë në Xhungël” dhe “Ku janë të drejtat e emigrantëve”, turma njerëzish prej të paktën 200 vetash ecnin në rrugë duke protestuar. Samy, një avokate nga Etiopia që drejtonte bllokadën, u shpesh se emigrantët po dëshpërohen gjithnjë e më shumë për të hyrë në Britaninë e Madhe. “Emigrantët po trajtohen më keq se në Libi”, u shpreh ajo.
Në të gdhirë, trupat policore të organizuara në La Mansh u përballën me turmat dhe i larguan ato duke përdorur gaz lotsjellës. Në një deklaratë për mediat, policia pohoi se çdo gjë nisi mëngjesin e së dielës, kur rreth 200 emigrantë tentuan të kalonin tunelin. “Kësaj here protesta ishte më e organizuar se kurrë. Vetëm gjatë mbrëmjes së të dielës ishin 400 vetë. Ata iu vërsulën gardheve parandalues duke i prishur e duke kaluar njëri pas tjetrit. Shumë prej tyre ndezën edhe zjarre pranë tunelit”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ndërsa një përfaqësues i Eurotunel u shpreh mbi ngjarjen se ajo i ngjasonte shumë një aktiviteti të organizuar mirë. Përkeqësimi i gjendjes së emigrantëve po ndodh në një moment kur Londra zyrtare ka bërë publike disa nga masat e rrepta që do të marrë për të mos lejuar hyrjen e tyre në vend, mes të cilave përfshihet shtimi i numrit të rojeve të sigurisë private në hyrjen e tunelit. Gjithashtu do të shtohen barrierat dhe kamerat e sigurisë. Kurse nga ana e Francës është shtuar tanimë numri i policëve në zonë.
