Conference League, Shkëndija kërkon rezultat pozitiv në Lubjanë

TË FUNDIT

Shkëndija sonte zbret në fushë në Slloveni, ku përballet me NK Bravon në ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të UEFA Conference League. Kuqezinjtë synojnë një rezultat të favorshëm në transfertën e Lubjanës, për të krijuar avantazh para ndeshjes së kthimit në Shkup.
Trajneri Pollozhani dhe mesfushori Krasniqi kërkuan përqendrim maksimal për të arritur rezultat pozitiv.

“Patjetër që na pret një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse unë e kam potencuar edhe tek konferencat e tjera që Kupat e Europës kanë një specifikë që sa më shumë raunde të kalosh, vështirësitë aq më shumë shtohen. Çfarë do të thotë, duhet të jemi të gatshëm 100% nga i pari deri tek i fundit për një performancë ose për një pjesë të parë 90 minutëshe që na pret këtu në Slloveni”, tha Amit Pollozhani.

“Mendoj që në Europë nuk besoj që ka ekip të dobët dhe që luan në këtë nivel, kështu që ekipi ka punuar shumë mirë dhe besoj që është e gatshme. Shpresojmë që të kemi fatin dhe të arrijmë atë që dëshirojmë, kalimin tutje”, tha Endrit Krasniqi, futbollist.

Ekipi i Artim Pollozhanit ka udhëtuar dy ditë më herët drejt Sllovenisë dhe ka zhvilluar përgatitjet në stadiumin “Stozhice”. Në dyshim për këtë takim janë portieri Babacar Gaye dhe mbrojtësi Anes Meliqi, ndërsa Sebastian Spahiu është rikthyer në stërvitje dhe është në dispozicion.
Ndeshja zhvillohet në mbrëmje në 20.45.