Reagime dhe vërejtje të shumta për propozim-ligjin për shërbimin gjyqësor u paraqitën në dëgjimin publik për këtë ligj në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve. Përfaqësues nga shërbimet dhe sindikatat kërkuan që ai të tërhiqet nga procedura ose të bëhet ndërhyrje serioze me amendamente, ose të hartohet një i ri në të cilin shërbimi do të jetë pjesë e pushtetit gjyqësor. Hristina Pallçevska, e cila ishte edhe anëtare e grupit punues, u distancua nga zgjidhja ligjore, sepse, siç tha, ai nuk është aspak i njëjti me atë për të cilin ata kanë punuar.
“Propozim-ligji që sot po e diskutojmë nuk është reformues, nuk e përmirëson pozitën e shërbimit gjyqësor dhe ajo që është më e rëndësishme është se është i pazbatueshëm. Një zgjidhje e tillë ligjore është një zgjidhje e pafat ligjore, pse, sepse dispozitat e Ligjit për nëpunësit administrativë në gjykata janë të pazbatueshme”, tha Hristina Pallçevska.
Përfaqësuesit e shërbimit gjyqësor thonë se ky propozim-ligj është shumë më i pafavorshëm se ai i mëparshmi dhe se nuk është aspak reformues. Ata konsiderojnë gjithashtu se keq është rregulluar përllogaritja e pagave në lidhje me koeficientët, si dhe fakti që nuk njihet specifika e shërbimit gjyqësor dhe puna e nëpunësve gjyqësorë.
“Për fat të keq, në vend që sot të diskutojmë për amendamente dhe ta përmirësojmë ligjin, ne energjinë tonë po e shpenzojmë në tre faktorë të rëndësishëm. Kjo është që të gjithë të jemi shërbim gjyqësor, të kemi me dinjitet pagë mesatare sipas koeficientit sepse jemi një nga tre pushtetet në shtet dhe të kemi shtesat që i meritojmë”, tha Dijana Georgievska, Gjykata Themelore – Shkup
“Për dy orë e 7 minuta të mos dëgjohet asnjë lavdërim, asnjë koment pozitiv për këto ligje të propozuara, kjo vetvetiu duhet të përbëjë alarm se propozimet e ligjeve tuaja janë mbrapsht, tha
Fatime Fetai, Prokurore Publike.
Në mbrojtje të tekstit ligjor u paraqit Katerina Gicheva nga Ministria e Drejtësisë, sipas së cilës kjo zgjidhje siguron autonomi të shërbimit dhe bën ndarje të qartë të nëpunësve gjyqësorë nga nëpunësit administrativë.
“Në këtë propozim-ligj për herë të parë vendoset rregullim tërësisht sistemor i të drejtave dhe detyrimeve dhe zhvillimit të karrierës së të punësuarve në shërbimin gjyqësor. Në ligjin ekzistues thuhet se nëpunësit gjyqësorë kanë status të nëpunësve administrativë”, deklaroi Katerina Gicheva, Ministria e Drejtësisë
Përveç shërbimit gjyqësor, në dëgjim publik duhet të gjendet edhe propozim-ligji për shërbimin e prokurorisë publike, të cilët të dy janë pjesë e agjendës reformuese.
