Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe gjyqtarja Ana Pavlovska-Daneva zhvilluan një takim me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, përcjell TV21. Nga Kushtetuesja thonë se u shqyrtuan disa çështje aktuale nga fusha e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe funksionimit të sistemit kushtetues-juridik.
Në takim, siç njoftoi Gjykata Kushtetuese, u theksua rëndësia e dialogut të hapur dhe të vazhdueshëm institucional, veçanërisht për çështjet me interes të përbashkët që lidhen me avancimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë juridike.
Ndër temat e diskutuara ishin zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mekanizmat ligjorë që lidhen me zbatimin e tyre, si dhe zgjidhjet që po shqyrtohen në kuadër të përgatitjes së Ligjit të ri për Gjykatat dhe Kodit të ri Penal.
Nga Kushtetuesja thonë se bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për proceset aktuale juridike dhe reformat, duke theksuar nevojën për zgjidhje të qarta ligjore, respektimin e kompetencave kushtetuese dhe komunikim të koordinuar institucional për çështjet me rëndësi më të gjerë për rendin juridik.

