Ethet e Nilit Perëndimor, BDI-ja dhe LSDM-ja kritikojnë menaxhimin e krizës

TË FUNDIT

Dështimin e qeverisë fatkeqësisht qytetarët po i paguajnë me jetë, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, duke kritikuar mënyrën se si po menaxhohet situata me ethet e Nilit Perëndimor në Shkup. Ai kërkoi përgjegjësi për rritjen e rasteve dhe pesë viktimat e regjistruara. Kreu i opozitares vë në pikëpyetje efektivitetin e masave kundër mushkonjave dhe gatishmërinë e sistemit shëndetësor për përballimin e situatës.

“Del kryetari i Shkupit, qenka spërkatur kaq e aq herë! Pse ka kaq shumë pacientë nëse është spërkatur?! A është kontrolluar efekti nga spërkatja? A janë targetuar mirë vatrat e mushkonjave? A janë bërë në kohë? A i kanë paralajmëruar mjekët amë se me cilat protokolle duhen punuar që t’i hetojnë simptomat e hershme? A i kanë paralajmëruar në kohë pleqtë? A është përgatitur sistemi shëndetësor që të pranojë shumë pacientë?”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Edhe opozitarja BDI-ja kërkon përgjegjësi dhe një përgjigje të koordinuar nga Qeveria për përshkallëzimin e rasteve me virusin e Nilit Perëndimor në vend. Nga partia opozitare kërkojnë transparencë për masat e ndërmarra, mbikëqyrjen epidemiologjike dhe koordinimin institucional për parandalimin e përhapjes së virusit.

“BDI kërkon aktivizimin e menjëhershëm të Planit kombëtar për përballje me virusin e Nilit Perëndimor. Mbikëqyrje të përforcuar epidemiologjike dhe kontroll sistematik të mushkonjave, e veçanërisht në zonat me rrezik të shtuar. Koordinim të lartë dhe të qartë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit dhe Qendrave për shëndet publik, komunave, institucioneve veterinare dhe atyre mjedisore. Informim të rregullt të publikut për numrin e të prekurve, zonat me rrezik të madh. Publikimin e të gjitha kontratave për dezinfektim, kompanive të angazhuara dhe shumave të paguara, datave të spërkatjes dhe tonave të trajtuara”, theksoi Imrane Veliu, BDI.  

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, paraprakisht i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për menaxhimin e situatës me virusin e Nilit Perëndimor, duke theksuar se dezinsektimi kundër mushkonjave këtë vit ka nisur më herët dhe është zhvilluar sipas programit dhe rekomandimeve shëndetësore.