Kreu i Interpolit viziton akademinë policore! Vlerësohet bashkëpunimi policor ndërkombëtar

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Valdeci Urquiza, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut vizituan Akademinë Policore në Idrizovë, ku iu drejtuan kadetëve dhe përfaqësuesve të institucionit. Urquiza theksoi se Akademia Policore, që nga nëntori i vitit 2025, është pjesë e Rrjetit Global Akademik të Interpolit, ku përfshihen vetëm 28 institucione policore në botë, duke e vlerësuar këtë si njohje për kapacitetet profesionale të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Do të përballeni me gjuhë të ndryshme, sisteme të ndryshme juridike dhe mënyra të ndryshme pune. Jam i bindur se në këto rrethana do ta njihni Interpolin si një partner të gatshëm dhe të besueshëm në luftën tuaj. Nga bashkëpunimi që pashë në kufirin tuaj me Shqipërinë, si dhe nga aktivitetet e përbashkëta me autoritetet serbe, shoh se Maqedonia i qaset me seriozitet bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Pikërisht kjo e bën Interpolin gjithnjë e më të rëndësishëm në luftën bashkëkohore kundër krimit të organizuar”, tha Valdeci Urquiza.

Ndihmësministri në Akademinë Policore, Vllatko Mitkovski, theksoi se Akademia mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të një sistemi modern arsimor që ndjek standardet më të larta ndërkombëtare dhe praktikat më të mira në profesionin policor.

“Akademia Policore ka një përcaktim të qartë për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me Interpolin dhe Akademinë e tij përmes shkëmbimit të njohurive, trajnimeve të përbashkëta, bashkëpunimit ekspert dhe zhvillimit të programeve moderne mësimore”, tha Vllatko Mitkovski.

Gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit iu prezantuan kapacitetet e Akademisë Policore, programet e trajnimit dhe masat për modernizimin e përgatitjes së zyrtarëve policorë sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.