Sipas zyrës së shtypit pranë Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse (SVR), Ushtria Ukrainase ka shprehur mirënjohje të madhe ndaj prodhuesve serbë të armëve dhe municioneve për kontributin e tyre në ruajtjen e kapacitetit luftarak të forcave të armatosura të Ukrainës.
Sipas SVR-së, pavarësisht presionit të shtuar të Moskës mbi Beogradin, industria ushtarake serbe vazhdon të rrisë eksportin e pajisjeve luftarake në vendet e NATO-s, të cilat më pas ua dërgojnë ato armë Ukrainës.
Burimet ruse pretendojnë se municionet e prodhuara në Serbi, kryesisht për sisteme të rënda dhe artilerie me rreze të gjatë veprimi, u dërgohen vendeve të NATO-s në formë të “kompleteve për montim”. Ky model, sipas tyre, i mundëson Kievit të marrë armë që teknikisht nuk konsiderohen si “serbe”, por si produkte të fabrikave perëndimore. Sipas tyre, montimi dhe mbushja e këtyre raketave dhe minave thuhet se kryhet kryesisht në Çeki dhe Bullgari.
SVR pohon se prodhuesit serbë janë të vetëdijshëm për përdoruesit përfundimtarë të pajisjeve të tyre dhe për faktin se armët e tyre do të përdoren kundër ushtarëve rusë.
Në raport përmendet se fabrika “Krušik” në Valjevo kohët e fundit ka shitur disa ngarkesa të mëdha të kompleteve për montimin e raketave 122 mm për hedhësin e shumëfishtë “Grad” kompanisë çeke “Poličské Strojírny”. Gjithashtu, kompania “Eling” nga Loznica i ka dërguar kompanisë bullgare “EMCO” pajisje për prodhimin e të njëjtave raketa, si dhe mina për mortaja 120 mm.
Zyra e shtypit e SVR-së e përfundon deklaratën me vlerësimin se “Është e dhimbshme që tradita shekullore e besimit të ndërsjellë, miqësisë dhe ndihmës së ndërsjellë midis popullit serb dhe atij rus, po fshihet sot për shkak të lakmisë dhe qëndrimeve të dykuptimta politike”.
