Paratë nga kredia hungareze prej 250 milionë eurove nuk mund të arrijnë te kompanitë për shkak se Qeveria nuk ka miratuar në seancë dy marrëveshje, mëson TV21. Bëhet fjalë për marrëveshjen se si paratë do të transferohen deri te Banka Zhvillimore dhe marrëveshja e dytë ka të bëjë me detajet e kritereve. Sipas burimeve tona ata duhet të kalojnë në Qeveri, që dorëzohen në Bankën Zhvillimore e cila do t’ia dorëzojë Bankave komerciale pas çka mund të fillojë miratimi i kredive.
Por ministrja e financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, në emisionin Biznes 21 topin e hodhi te Banka zhvillimore.
“Produkti si produkt final, është produkt që Banka zhvillimore duhet ta parashtrojë deri te Qeveria. Shikoni kjo nuk varet nga ne. Kryeministri aq sakt ka thënë se në fillim të janarit paratë do të mund që bankat menjëherë t’i marrin. Por ne shumë qartë thamë se paratë do t’i transferojmë pasi që do të ketë listë të kompanive që do t’u miratohen kreditë, nga bankat komerciale do ta informojnë bankën zhvillimore dhe më pas do të bëjmë transferim të mjeteve”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska, Ministre e Financave.
Nga Banka Zhvillimore pa koment.
Vetëm kryeministri Hristijan Mickoski është i bindur dhe disa herë ka deklaruar se paratë do të arrijnë te kompanitë në janar.
“Nga janari. Ka disa punë procedurale që duhet të përfundohen. Nga janari”, shtoi Hristijan Mickoski, krymeinistër.
Sipas informacioneve tona Qeveria edhe nëse nesër në seancë do i kalojë dy marrëveshjet, ka procedurë edhe në Bankën Zhvillimore, por edhe te bankat komerciale dhe aplikimi dhe miratimi nuk do të zhvillohet aq shpejtë.
Bankat nuk e kanë marrë ende marrëveshjen nga Banka Zhvillimore me të cilën qartë dhe në mënyrë të detajuar përcaktohen nën cilat kushte dhe cilat kompani nga cili sektor do të mund të parashtrojnë kërkesë për kredi. Ajo marrëveshje shkon në miratim te bordet mbikëqyrëse të bankave, pas çka do të fillojnë procedurat për aplikim. Edhe pse bankat “bëjnë tifo” që kjo të bëhet sa më shpejtë, vlerësimi real është se kjo do të mund të ndodh në shkurt.
Përndryshe norma e interesit për paratë nga kredia hungareze për kompanitë është 1.95%, me grejs periudhë prej 3 vjetëve dhe pagesë të kredisë në afat prej 15 vjetëve. Që të marrin kredi, bizneset do të duhet të kenë së paku 20% pjesëmarrje ndërsa mund të marrin kredi në vlerë maksimale prej 10 milion euro.
