Kovaçevski nuk e di çka përmban propozimi i Francës/ Radevi paralajmëron Petkovin as të mos mendojë ta heqë veton ndaj RMV

TË FUNDIT

Tani për tani askush nuk flet asgjë lidhur me propozimin e Francës për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë, përmbajtja e të cilit vetëm po spekulohet. Ende nuk dihet nëse në propozimin në fjalë parashihet që kërkesat bullgare të inkuadrohen në kornizën negociuese, kurse BE-ja të garantojë për plotësimin e tyre. Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski e përsëriti atë që dje e tha Presidenti Stevo Pendarovski – se pasi vendet anëtare të harmonizohen mes vete lidhur me propozimin, i njëjti do të dërgohet në vendin tonë, pas çka ata do të dalin me qëndrim. Ai i përsëriti pozicionet tona se nuk do të negociohet për gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe futja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë do të jetë kërkesa e fundit e Bullgarisë.

“Ekziston një propozim i cili është dërguar në Republikën e Bullgarisë dhe i cili do të duhet të shqyrtohet nga ana e institucioneve të tyre. Nëse propozimi i tillë harmonizohet në nivel të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ne do ta shqyrtojmë dhe do t’i japim vërejtjet tona. Çka do të ndodhë në Republikën e Bullgarisë, ne me të vërtetë nuk mund ta dimë, pasi kjo varet nga zhvillimet në Parlamentin e tyre”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Edhe pse ende nuk dihet përmbajtja e propozimit francez, nga VMRO-DPMNE-ja vlerësojnë se me të parashihet që kërkesat bullgare të jenë pjesë e kornizës negociuese, që sipas tyre nënkupton një hap para drejt bullgarizimit.

“Propozimi francez tekstualisht i fut kërkesat bullgare brenda kornizës negociuese për Maqedoninë në rrugën drejt BE-së. Kjo do të thotë se Maqedonia ose duhet të bullgarizohet në rrugën drejt BE-së ose asnjëherë nuk do të bëhet anëtare e BE-së”- thanë nga VMRO-DPNE.

Presidenti bullgar Rumen Radev e vetmja gjë për të cilën foli ishte se kryeministri Petkov nuk guxon ta heqë veton ndaj Maqedonisë.

“Kabineti duhet t’i hedhë poshtë të gjitha dyshimet se mund të tërhiqet nga vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut. E dini se javën e ardhshme kryeministri shkon në Bruksel dhe duhet t’i mbrojë interesat nacionale. Andaj edhe Kuvendi bullgar edhe bullgarët, paraprakisht duhet ta dinë pozitën për të cilën do të angazhohet kryeministri. Çdo mashtrim ose përpjekje për ndonjë zëvendësim tjetër, do të ketë pasoja të vështira”- tha Rumen Radev, President I Bullgarisë.

Për propozimin francez sot duhej të debatojë Kuvendi bullgar, përkatësisht Komisioni për punë të jashtme. Por, gjendja mes deputetëve që nga mëngjesi u nxeh, me ofendime të ndërsjella mes grupeve të deputetëve të “Vazhdojmë me ndryshimet” dhe “Lëvizje për të drejta dhe liritë” pas çka deputeti Nastimir Ananiev u shty. Njëkohësisht skena politike në Bullgari po nxehet duke hyrë në krizë të rëndë politike, ndërsa të martën në seancë të jashtëzakonshme do të debatohet për mocion besimi të Qeverisë së Kiril Petkovit.