Kovaçevski në Bruksel i tha “jo” propozimit francez: Në BE do të hyjmë me krenari, pa kurrfarë nënçmimesh

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e falënderoi Presidentit të Francës, Emanuel Makron për propozimin e dhënë, por tha se ai është i papranueshëm për Maqedoninë e Veriut. Kovaçevski këtë e deklaroi në konferencën e përbashkët për media me Vuçiqin dhe Ramën pas Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Bllokada e Bullgarisë është goditje e drejtpërdrejtë mbi besueshmërinë e BE-së, tha kryeministri. Ai edhe një herë i përsëriti vijat e kuqe të vendit, duke thënë se nëse për to ka mirëkuptim, atëherë është i gatshëm të negociojë deri në fund të qershorit. Në BE do të hyjmë pa nënçmime, njësoj si të gjitha 27 vendet-anëtare, u shpreh Kovaçevski.

“Propozimi në formë të këtillë siç është, është i papranueshëm për mua, për Presidentin e vendit, Qeverinë, partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e RMV-së. Në qoftë se gjatë Presidencës franceze arrihet mirëkuptim për pozitat tona, ne jemi të gatshëm të kyçemi në bisedimet me qëllim që negociatat të fillojnë deri në fund të qershorit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por edhe rajoni  nuk guxojmë të lejojmë të mos ecim përpara për shkak të një vendi-anëtar, i cili thjesht nuk arrin të koordinohet dhe ta zhbllokojë rrugën tonë evropiane”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër I Maqedonisë Së Veriut.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e akuzoi Bullgarinë se i mban peng perspektivat evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në një moment ishte ironik se anëtarësimi në BE-në mund të ndodhë në shekullin e ardhshëm.

“Edhe BE-ja nuk mund të çlirojë dy vende që mbahen peng, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga Bullgaria, kjo nuk jep imazh të mirë për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Unë jam i sigurt se do të arrijmë të bëhemi anëtarë, shpresoj se para shekullit të ardhshëm, megjithatë shekullin e ardhshëm, gjithsesi se po”- tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Sot përsëri nuk ndodhi asgjë, ndërsa miqtë tanë nga Shkupi dhe Tirana meritojnë hapje të negociatave me BE-në, theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se beson se kjo do të ndodh sa më shpejtë që është e mundur dhe se dy vendet i plotësuan të gjitha kushtet për t’i marrë meritat e tyre.

“Besoj se Ballkani Perëndimor me të vërtetë ka ardhmëri evropiane, megjithatë kuptohet se edhe ne duhet të bëjmë edhe shumë, por kjo që u ndodh Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me të vërtetë nuk është e drejt. Shpresoj se të gjithë do t’i tejkalojmë këto vështirësi”- pohoi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Përndryshe, atmosfera e Samitit të BE-së për progresin e Ballkanit Perëndimor u ndje që në fillimin e Samitit kur erdhi momenti që të përshëndeten kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov.

Në bisedën e tyre shihet se nuk ka ndonjë përzemërsi në sjelljen e Kovaçevskit, ndërsa zemërimi i tij ishte evident në fytyrën dhe gjestet e kryeministrit. Nuk dihet se çfarë Kovaçevski i ka thënë këtu homologut bullgar në largim Kiril Petkov.