“-Po si do ta përballojmë ne pagesën e rrymës Dimitar?
-Kjo do të jetë më e vështira.
-Këtë do ta flasim nesër, kjo është më e vështira”
Kjo ishte një bisedë e lirë e Kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë panairit të djeshëm të verës.
Po kur liderët e dy vendeve kanë hallin e dimrit që po afrohet, çfarë po mendojnë qytetarët për çmimet? A po kursejnë dhe sa po paguajnë?
-E kursejmë normal.
-Sa ju vjen fatura?
-Të tregoj të drejtën vjet në krahasim me këtë kohë 100% më shumë ka ardhur rryma.
-Po patjetër të kursejmë.
-Sa ju vjen fatura në muaj?
-3 e diçka.
-Duhet të kursehet që të ketë diçka për mënjanë.
Në rrjetet sociale ka pasur reagime të shumta për procedurën e përçimit dhe shpërndarjes së rrymës. Për këtë, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë Marko Bislimovski, tha se nuk ka asnjë problem dhe se ligjet i përshtatin me praktikën europiane.
“Çmim të veçantë për energjinë elektrike si produkt dhe çmimin për secilin bllok që ta dinë se sa u kushton rryma dhe marrin normë të veçantë për përdorimin e rrjetit të shpërndarjes. Domethënë nuk ekziston shtesë e re, kur të mblidhet harxhimi i energjisë elektrike p.sh për bllokun e parë, do mblidhet edhe harxhimi për rrjetin, do të marrin çmim total për energjinë elektrike sikur ishte më parë. Të gjithë konsumatorët në shtet që janë në tregun e lirë prej 1 prillit të 2014 marrin 2 fatura veçmas dhe nuk ka pasur asnjë problem”, tha Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Nga Qeveria sigurojnë se nuk do të ketë probleme me rrymën elektrike sepse janë siguruar 50 milionë euro investim kapital, por nga ana tjetër rekomandon qytetarët që të kursejnë rrymë me qëllim që të ketë për të gjithë.
