Kovaçevski e sheh Ballkanin si rajon të integruar në BE pa kufij

TË FUNDIT

Nuk ka çmenduri më të madhe se kufijtë në Ballkan, ata janë vetëm burim i korrupsionit dhe asgjë tjetër, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për media me kryeministren serbe Ana Bërnabiq, gjatë vizitës në Beograd të delegacionit qeveritar të RMV-së. Sipas tij, rajoni duhet të funksionojë si BE-ja, e cila bazohet në lirinë e lëvizjes.

“Nuk ka çmenduri më të madhe se kufijtë në Ballkan. Ne kemi qenë shtetet e vetme pa kufij. Ndërsa tani jemi shtetet e vetme me kufij. D.m.th. nëse dilni në veri, prej këtu në Horgosh, vetëm 200 kilometra prej këtu, nuk ka kufij deri në Skandinavi. Neve nuk na duhen kufij. Unë Ballkanin Perëndimor e paramendoj si rajon pa kufij, të integruar në BE”, tha Kovaçevski.

Në vizitë në Beograd, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi si dhe ai për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, nënshkruan memorandume për avancimin e bashkëpunimit në këto sfera. Konkretisht në pjesën e kontrollit kufitar u dakordua qarkullim më i shpejtë i mallrave dhe qytetarëve për 50%.

“Bëhet fjalë për rritjen e qarkullimit të automjeteve dhe njerëzve në pikën kufitare Tabanoc-Preshevë, së pari përmes rritjes së numrit të korsive fizike, rritjes së numrit të nëpunësve që do të punojnë në zbatimin e kontrolleve dhe së treti përmes vendosjes së softuerit që do të thotë vetëm një kontroll të pasaportave të udhëtarëve në pikën kufitare e jo dy kontrolle siç është për momentin”, tha më tej Kovaçevski.

U nënshkrua edhe memorandum që udhëtarët e Serbisë të mund me pajisjen e instaluar TAG t’i kalojnë të gjitha pikat pagesore në vend ndërsa e njëjta gjë do të vlejë edhe për udhëtarët e Maqedonisë për në Serbi. Kryeministra e Serbisë, Bërnabiq foli edhe për avancimin e shkëmbimit tregtar.

“Në shkëmbimin tregtar mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Serbia ka suficit të konsiderueshëm, eksporti ynë ishte pak më shumë se 511 milionë euro. Por, atë që e solli nisma Ballkani i Hapur është rritje shumë më e shpejtë, për 58%, të importit tonë përkatësisht të eksportit tonë nga Maqedonia e Veriut në Republikën e Serbisë”, u shpreh Ana Bërnabiq.

Delegacioni i Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Kovaçevski zhvilloi takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ku u konstatua se të dyja vendet kanë dialog politik dinamik, bashkëpunim ekonomik dhe tregtar dhe nuk kanë çështje të hapura.