Kovaçevski dhe Rama: Të ndjekim rrugën evropiane! Rama: Ballkani është i përjetshëm, procesi i Berlinit jo

TË FUNDIT

Kryeministri i Shqipërisë dhe delegacioni qeveritarë shqiptar u pritën me nderime të larta në Shkupnga kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski.

Në takimin e dytë ndërqeveritar, kryeministrat e dy vendeve theksuan rëndësinë e nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh, i cili u vlerësua se është në nivel të lartë.

Me këtë rast u nënshkruan 12 memorandume, 5 marrëveshje, 3 protokolle dhe 1 program. Marrëveshjet përfshijnë bashkëpunim në fushën e sigurisë, turizmit, tregtisë, si edhe bashkëpunim në fushën e energjisë elektrike, e siç u theksua, kjo pritet që të forcojë lidhjet mes të dyja vendeve dhe do të sigurojë të ardhme të sigurt për qytetarët.

Një nga marrëveshjet që u nënshkruan sot i referohet bashkëpunimit për kthimin e ikonave të eksportuara ilegalisht. Dokumenti mundëson kthimin e 21 ikonave në kishat në vend. Me këtë rast Kovaçevski i dhuroi Ramës një ikonë.
Dy kryeministrat të cilët diskutuan për të ardhmen dhe çfarë mund të bëhet për zhvillimin e dy vendeve, miqësinë dhe fqinjësinë e mirë, ndër të tjera, dërguan një mesazh të qartë se Maqedonia e Veriut nuk duhet ta ndalë rrugën evropiane, të kthehet në të kaluarën dhe të vetëizolohet.

“Në Kuvend janë 120 deputetë, jo 80, 90, as 100, në Kuvend janë 120 deputetë të cilët kanë të gjithë përgjegjësi, jo para qeverisë por para fëmijëve të tyre, fëmijëve të miqve të tyre, që të sjellin vendim me të cilin do të sigurojnë ardhmërinë e cila do të thotë anëtarësim në BE. Unë e di se kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë, as për Maqedoninë e as për Shqipërinë, kjo është rrugë e negociatave, rrugë e reformave, rrugë e ndryshimit të shoqërisë për më të mirë.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski – kryeministër i RMV.

“Më duket se vetëm ligësia, dritëshkurtësia dhe patriotizmi i shtirur mund t’i kthejnë në arsye për t’u përçarë mes vete dhe në arsye për të krijuar përsëri probleme për këtë vend, ndërkohë që vendi ka nevojë që të vrapojë sikurse të gjitha vendet e tjera, për të kapur kohën e humbur.”- pohoi Edi Rama – Kryeministër I Shqipërisë.

Të pyetur nëse ja vlen që të vazhdohet ideja e Ballkanit të Hapur, marrë parasysh riaktivizimin e Procesit të Berlinit, Rama tha se Procesi i Berlinit nuk do të jetë i përhershëm, ndërkohë që Ballkani, siç shtoi, është i përjetshëm. Për Ramën procesi i Berlinit mbetet “lokomotivë” për rajonin.

Kryeministrat Kovaçevski dhe Rama u pajtuan se marrëdhëniet e mira dypalëshe mes dy vendeve janë të një rëndësie të madhe për zhvillimin ekonomik, si dhe për thellimin e bashkëpunimit afarist mes bizneseve nga të dyja vendet. U theksua po ashtu se rritja e marrëdhënieve të mira, lidhja e popujve, forcimi i infrastrukturës mes dy vendeve është me rëndësi të madhe për përparimin e mëtejshëm.