Kovaçevski dhe ekipi qeveritar për vizitë zyrtare në Bullgari! Nesër mbledhje e përbashkët e dy qeverive

TË FUNDIT

Ekipi qeveritar i kryesuar nga  kryeministri Dimitar Kovaçevski sot niset për vizitë zyrtare në Sofje ku nesër do të mbahet mbledhje e përbashkët e qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe  Republikës së Bullgarisë.

Kryeministri Kovaçevski dhe delegacioni qeveritar do të priten zyrtarisht nga kryeministri bullgar Kiril Petkov sot pasdite në orën 16:00 në sheshin “Shën Aleksandar Nevski”. Dy kryeministrat do të vendosin lule para “Përmendores së ushtarit të panjohur”.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mbahet nesër në rezidencën “Bojana” me fjalim hyrës të kryeministrave Petkov dhe Kovaçevski.

Është paraparë të nënshkruhen disa dokumente bilaterale, pas çka dy kryeministrat do të mbajnë konferencë për shtyp.

Mbledhja e përbashkët pason pas vizitës zyrtare javën e kaluar të kryeministrit bullgar Petkov në Shkup, kur u dakordua formimi i grupeve të punës nga të dyja anët të cilat duhet të punojnë intensivisht për tejkalimin e çështjeve të hapura përmes intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në periudhën që paraprin, ndërkaq në suaza të dinamikës së re të bashkëpunimit, që e paralajmëruan dy kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov, duhet përmes takimeve të grupeve të punës t’i afrojnë pozicionet në disa sfera, të fokusohen në atë që praktikisht është e realizueshme për momentin, e me atë të hapet rrugë edhe për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet më të  vështira dhe tejkalimin përfundimtar të kontestit dhe zhbllokimin e fillimit të konferencës së parë ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Dy qeveritë formuan katër grupe të punës. Qeveria e Maqedonisë së Veriut i formoi grupet për ekonomi, tregti dhe inovacione, për infrastrukturë, transport dhe  ndërlidhje, për integrim evropian dhe politika të gjelbra dhe për kulturë, shkencë dhe arsim, përderisa në kumtesën e Qeverisë bullgare është cekur se janë formuar grupe për ekonomi, tregti dhe inovacione, për infrastrukturë, transport dhe ndërlidhje, për bashkëpunim evropian – tranzicion të gjelbër dhe transformim digjital dhe sundim të së drejtës dhe për kulturë, shkencë, arsim dhe rini.

Bashkëkryesuesit  e grupit të parë nga ana e Maqedonisë së Veriut janë zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Koordinim me Politikat Ekonomike dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.  Nga ana bullgare me këtë grupë do të bashkëkryesojnë zëvendëskryeministrja për ekonomi dhe industri dhe ministre e ekonomisë Kornelija Ninova, zëvendëskryeministri për eurofonde dhe ministër i Financave, Asen Vasilev dhe ministri për Inovacione dhe Rritje, Daniel Lorer.

Me grupin e dytë nga ana e Maqedonisë së Veriut do të bashkëkryesojnë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti, ndërsa nga ana bullgare do të marrin pjesë zëvendëskryeministri për Zhvillim rajonal dhe Punë Publike dhe ministër për zhvillim rajonal dhe Punë Publike Grozdan Karaxhov, ministri për Transport dhe Lidhje Nikollaj Sabev dhe ministri për Energjetikë Aleksandar Nokollov.

Bashkëkryesues të grupit të  tretë nga ana e Maqedonisë së Veriut janë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministrja për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministri i mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini. Nga ana bullgare me këtë grupë do të bashkëkryesojnë zëvendëskryeministri për Politika Klimatike dhe Ministër për Mjedis Jetësor dhe Ujëra, Borisllav Sandov, zëvendëskryeministrja për Qeverisje Efikase Kalina Konstantinova dhe ministrja e Drejtësisë Nadezhda Jordanova.

Me grupin e katërt të punës nga ana e Maqedonisë së Veriut do të kryesojnë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ndërsa nga ana bullgare, ministri i Arsimit dhe Shkencës Nikollaj Denkov, ministri i Kulturës Atanas Atanasov, ministri i Turizmit Hristo Prodanov dhe ministri për Rini dhe Sport Radostin Vasilev.

Kryeministrat paralajmëruan pesë grupe pune, i pesti është ai historik, por të dy qeveritë nuk formuan grup të veçantë pune dhe sipas asaj që thanë Kovaçevski dhe Petkov në konferencën për shtyp në Shkup, kjo fushë e mbulon komisionin  e përbashkët maqedonas-bullgar, Komisionin për Çështje Historike dhe Arsimore, por nuk specifikoi nëse do të vazhdojë të punojë në formatin aktual.

Petkov, sërish theksoi se për dallim nga qasja e deritanishme, tani në takimet javore do të bisedohet për mundësitë reale të të gjitha komisioneve, duke e përfshirë edhe komisionin historik

Sipas asaj që e paralajmëruan dy kryeministrat në periudhën që vjen dhe përmes takimeve të këtyre grupeve të punës historia do të vihet në plan të dytë, fokusi do të jetë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, përforcimi i bashkëpunimit në disa sektorë, si dhe fqinjësia e mirë matëse sipas qëllimeve dhe rezultateve të arritura.

Është paralajmëruar punë dinamike e grupeve të punës, çdo javë njëri prej grupeve të ketë takim, Afrimi do të bëhet në mënyrë pragmatike, fillimisht atje ku nuk ka pengesa, ndërsa tashmë si projekt i parë është paralajmëruar vendosja e linjës së drejtpërdrejtë ajrore Shkup-Sofje, që, siç tha Petkov në Shkup, do të realizohej për dy muaj.

Ekipi i TV21 është në Sofje dhe po ndjek aktivitetet e dy qeverive.