Kovaçevski dhe Bërnabiq nuk kanë dyshime. “E ardhmja e Ballkanit të hapur është e ndritur dhe e sigurt”

TË FUNDIT

E ardhmja e Ballkanit të Hapur është e ndritur. Kështu u shprehën kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Dimitar Kovaçevski dhe Ana Bërnabiq, duke komentuar deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Ky i fundit pati paralajmëruar se Ballkani i hapur ka përfunduar misionin e saj që të shtyjë përpara procesin e Berlinit. Kryeministrja Serbe Ana Bërnabiç thotë se Ballkani i Hapur ka të ardhur të ndritshme madje pret që t’u bashkangjiten edhe shtete tjera nga rajoni.

“Nesër udhëtoj për në Tiranë dhe do të takohem me kryeministin e Shqipërisë, Edi Rama dhe do të flasim për këtë. Unë jam e bindur se e ardhmja e iniciativës “Ballkani i Hapur” është e ndritur. Se edhe të tjerët nga rajoni do t’i bashkangjiten kësaj iniciative. Në shekullin 21, lëvizja e lirë e mallërave, shërbimeve, kapitalit, njerëzve, lehtësim i studimeve, trajtimeve mjekësore, leje pune janë diçka që kanë të ardhme të sigurtë”, tha Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë.

Edhe kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski, nuk ka dyshime se e ardhmja e Ballkanit të Hapur do të jetë duke promovuar largimin e tërësishëm të kufijve mes vendeve nga rajoni, madje duke qenë të gjitha të integruara në Bashkimin Evropian.

“Qëllimi kryesor dhe angazhimi im është që Ballkani të jetë pa kufij. Kështu që nëse pyetni për të ardhmen e Ballkanit të Hapur, Ballkani i Hapur ka të ardhme të ndritur sepse një ditë të gjitha këto shtete do të jenë pjesë e BE-së dhe finalja e Ballkanit të Hapur do të jetë me ceremoni të tillë ku nuk do të promovojmë M-TAG por do të promovojmë largimin e kufijve, atyre rampave të cilat na ndajnë nga dy anët e kufirit”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, njoftoi se Ballkanit të Hapur pritet që deri në shtator t’i bashkangjitet edhe Kroacia, ndërsa interes ka shprehur gjithashtu edhe Greqia. Sipas saj, me iniciativa të tilla si sot, Ballkanin e Hapur e lakmojnë edhe qytetarë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Qytetarë të Bosnjës e Hercegovinës dhe Malit të Zi duan të na bashkangjiten dhe thonë se pse kur udhëtoj nëpër Ballkan më duhet të pres në kufij tjera e praktikisht po të isha në korniza të iniciativës Ballkani i Hapur nuk do më duhej pasaportë, ndoshta nuk do më duhej as letërnjoftim, nuk më duhej të pres asnjë minutë në vendkalime kufitare sepse do të ketë korsi nga Ballkani i Hapur dhe do të udhëtoja pa asnjë problem”, shtoi Bërnabiç.

Përndryshe shkëmbimi tregëtar mes Maqedonisë dhe Serbisë gjatë vitit 2022 ka arritur shifrën prej 1,48 miliard eurove.