Kiril Petrov do të përpiqet ta formojë Qeverinë e re në Bullgari pas zgjedhjeve të treta parlamentare që u mbajtën brenda një viti. Si kandidat më serioz për ministër të jashtëm përmendet emri i Daniel Lorerit, i cili nuk shpreh optimizëm se më 14 dhjetor do të arrihet ndonjë marrëveshje me Maqedoninë.
“Respektimi i të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë ka rëndësi parësore. Na presin negociata mbi bazë të fakteve, e jo të spekulimeve në qoftë se janë shkelur këto të drejta. Kurse, bisedimet për historinë do të zhvillohet paralelisht, kështu që edhe Sofja, edhe Shkupi do të jenë të kënaqur”, tha Daniel Lorer – kandidat për ministër të Jashtëm të Bullgarisë.
Edhe eurodeputeti, Andrej Kovaçev, me qëndrim të njëjtë. Ai thotë se reagimet në Maqedoni janë të çuditshme, duke shtuar se për ta, Loreri do të ishte ministër adekuat.
“Po, me të vërtetë është e turpshme që Vllado Buçkovski lejon një gjë të tillë. De-facto ai i bën favor atij që e përmendi si ministër potencial për Punë të Jashtme, sepse thotë se për RMV-në ai është kandidat ideal për ministër. Kjo do të thotë se ai nuk është i mirë për Bullgarinë në rastin konkret. Deklaratat e politikanëve dhe profesorëve të Maqedonisë që i dhanë këto ditë – se Bullgaria është gjunjëzuar dhe se më 14 dhjetor do t’i lëshojë dhe se gjithçka do të jetë në rregull, janë të turpshme. Të këqijtë u larguan nga Sofja dhe erdhën të mirët”, u shpreh Andrej Kovaçev – eurodeputet, GERB.
Mandatari i ri thotë se duhet investuar në zhvillim, e jo në propagandë dhe lobim kundër Bullgarisë.
“Për çështjen e Maqedonisë më me rëndësi është të krijojmë grupe adekuate pune. Mes këtyre njerëzve sigurisht se do të ketë historianë, duhet të ketë njerëz nga biznesi, kultura, infrastruktura. Nuk është normale që unë të mos kem mundësi të shkoj në Shkup me aeroplan. Nuk është normale të mos kemi tren”, potencoi Kiril Petrov – mandatar.
Bullgaria vazhdon me kërkesën që bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë, me çka do t’i marrin të drejtat e njëjta si komunitetet e tjera etnike. Por, profesori Fërçkovski, thotë se në rast se ndodh kjo, atëherë kjo do të thoshte se bullgarët dallojnë nga maqedonasit.
“Preambula nuk është një pjesë operative, por kujtesë historike. Prandaj, nuk paraqet ndonjë problem që të zgjerohet me përfshirjen e bullgarëve. Në këtë mënyrë, bullgarët pranojnë se ka pakicë bullgare në Maqedoni, e cila është e ndryshme nga maqedonasit. Me hyrjen në BE po hapet edhe Neni 118 i cili ka të bëjë me marrëveshjet ndërkombëtare të cilat do të zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë pa ndërmjetësimin e pushtetit ekzekutiv dhe një pjesë të sovranitetit e bartim në BE”, deklaroi profesori Lubomir Fërçkovski.
Në disa vende evropiane tashmë janë paralajmëruar edhe protesta studentore kundër diskriminimit të bullgarëve në Maqedoni. Protestat e para do të organizohen në Berlin më 29 nëntor, kurse më 6 dhe 16 dhjetor do të vazhdojnë në Paris dhe Bruksel.
