Kosovë, nuk kalon ligji që lejon martesat e gjinisë së njëjtë

TË FUNDIT

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar projekt-kodin civil.

Nga 61 deputetë të cilët kanë votuar për këtë pikë të rendit të ditës, vetëm 28 kanë dhënë votën pro.

“77 deputetë jemi në sallë, por si duket 16 nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit. Por, saktë 61 kanë votuar. Dhe prej këtyre 61, për janë 28, kundër 29 dhe katër kanë abstenuar”, ka njoftuar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Për këtë projekt-kod civil nuk ka pasur unitet as në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndryshe, në Projektkodit Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë.