Kosovë, arrestohet një tjetër person për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq

TË FUNDIT

Policia e Kosovës e ka arrestuar më 19 tetor një person të nacionalitetit serb me inicialet M.M., nën dyshimet se ka qenë anëtar i një grupi kriminal të përfshirë në vrasjen e politikanit opozitar serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviqit.

Urdhrin për arrestimin e të dyshuarit e ka dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Oliver Ivanoviq, i cili ka udhëhequr nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), është vrarë më 16 janar të vitit 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka qenë anëtar i grupit kriminal të organizuar dhe ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal’.

Sipas deklaratës, për këtë person ka pasur urdhërarrest në fuqi prej vitit 2019, mirëpo ai ka qenë “i paarritshëm për organet e ndjekjes”.

Ndërkohë autoritetet pritet t’i caktojnë masën e paraburgimit.