Kopshti zoologjik në Danimarkë me kërkesë të çuditshme, kërkon kafshë shtëpiake të padëshiruara për të ushqyer grabitqarët

TË FUNDIT

Kopshti zoologjik i Aalborgut në Danimark, ka bërë një thirrje të pazakontë, ku i drejtohet publikut të dhurojnë kafshët e tyre të padëshiruara shtëpiake për t’u përdorur si ushqim për grabitqarët.

Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale, kopshti thotë se kërkon kafshë si pula, lepuj, derra gini dhe kuaj, të cilat do të eutanizohen në mënyrë humane nga personeli i trajnuar dhe më pas do të shërbejnë si ushqim për kafshët mishngrënëse të kopshtit, përfshirë luanët, tigrat dhe rrëqebujt euroaziatikë.

“Kemi një përgjegjësi për të imituar zinxhirin natyror ushqimor. Bagëtitë e vogla përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dietës së grabitqarëve tanë dhe ushqimi i tillë është më i ngjashëm me atë që do të gjuanin në natyrë”, thuhet në deklaratën e kopshtit zoologjik.

Zëvendësdrejtoresha e kopshtit, Pia Nielsen, thekson se kjo praktikë nuk është e re në Danimarkë dhe ka vite që përdoret. Sipas saj, është një mënyrë më e natyrshme për të ushqyer mishngrënësit, duke i ofruar atyre mish me kocka, lesh dhe përbërës të tjerë që ndihmojnë në mirëqenien e tyre.

Kafshët që dhurohen duhet të jenë të shëndetshme, të mos jenë trajtuar për sëmundje gjatë 30 ditëve të fundit dhe, në rastin e kuajve, të kenë një pasaportë zyrtare.

Sipas kopshtit zoologjik, kjo është një mundësi për njerëzit që nuk mund të kujdesen më për kafshët e tyre, që ato të bëhen pjesë e një procesi natyror dhe të shërbejnë një qëllim të dobishëm.