Koordinimi i parë i Afrim Gashit në Kuvend, FE nuk mbështet ligjin për riorganizimin e ministrive

TË FUNDIT

Koordinimi i parë i kryeparlamentarit Afrim Gashi me grupet e deputetëve kaloi me bisedime për aktivitetet e ardhshme, seancën e parë plenare në Kuvend por  edhe për riorganizimin e ministrive në qeveri. Kjo do të jetë pika e parë mbi të cilën do të debatojnë deputetët e rinj.

Me ligjin e ri planifikohet që të formohen dy ministri të reja, për energjetikë dhe për sport. Një pjesë e ministrive aktuale duhet të riorganizohen, si për shembull sektori për punë pranë Ministrisë së punës dhe politikës sociale do të bëhet pjesë e Ministrisë së ekonomisë ndërsa prej atje, sektori për turizëm shkon në ministrinë e kulturës. Ministria për punë dhe politikë sociale bëhet Ministri për politikë sociale, demografi dhe rini, ndërsa Ministria për shoqëri informatike planifikohet të bëhet pjesë e Ministrisë për administratë dhe digjitalizim.

Për ndryshimet e këtij ligji nevojitet shumica prej 2/3 ndërsa shumica parlamentare është e bindur se e ka përkrahjen e duhur.

“Pres të mos ketë obstruksione për shkak se kjo u prezantua para qytetarëve dhe i treguam qëllimet tona dhe andaj e morëm edhe gjithë mbështetjen nga qytetarët. Megjithatë ky është parlament, do të shohim si do të sillen pas koordinimit të sotëm, tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

-Megjithatë duhet të keni shumicë prej 2/3-ve, a do ta keni?

“Absolutisht po. Pres që ta marrim atë mbështetje për shkak se e kemi konsoliduar shumicën, pres që edhe deputetët e tjerë të jenë në nivel të detyrës që t’i realizojmë këto ndryshime, deklaroi Micevski.

Edhe koordinatori i VLEN, Halil Snopçe është i bindur se Ligji do të kalojë. Nuk do të jepnim propozim të tillë nëse nuk kemi informacione se kemi shumicë prej 2/3-ve, shtoi ai.

“Mendoj se do të ketë shumicë prej 2/3-ve për votim, sepse duhet t’i jepet mbështetje  mandatarit të ri, përbërjes së re, nëse ideja e mandatarit është të bëjë një rikonfigurim të ri të kabinetit qeveritar, pse të mos e mbështesim. Në fakt është një konfigurim i ri, pesha të reja specifike të ministrive të reja, ndarje, pra është në drejtim të sinkronizimit të planit dhe realizimit të objektivave programore të koalicionit të ri, tha Halil Snopçe.

Por nga Fronti Europian thonë se nuk do ta mbështesin këtë ligj. Arjanit Hoxha në Daily Click tha se prioritet janë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për integrimin europian.

 “Jo, votat e Frontit Europian nuk mund t’i kenë sepse 80 vota janë vota që duhet ta hapin kushtetutën. Vota e Frontit Europian nuk mund t’i bën 80-të, pa u hap kushtetuta e vendit dhe pa u vendos ato përcaktime që i kemi nga BE, dhe për këtë mban po aq përgjegjësi edhe koalicioni VLEN, të cilën kanë të nënshkruar deklaratë të përbashkët politike”, u shpreh Arjanit Hoxha. 

Nga LSDM me qëndrim se do ta shqyrtojnë propozim ligjin dhe pastaj do të sjellin vendim nëse do ta përkrahin.

 “Nëse do të japim përkrahje për ligjet, siç e quajtën ata, reformë, ndërsa ato ligje së pari duhet të vijnë në Kuvend. Për diçka që nuk e kemi parë nuk mund të japim ose të mos japim përkrahje. Duhet t’i shohim ligjet, çfarë shkruan në to, cili është teksti zyrtar dhe në bazë të kësaj do të sjellim përfundim, vendim në nivel të partisë dhe në nivel të grupit të deputetëve, nëse do të japim përkrahje”, deklaroi Oliver Spasovski.

Përndryshe ky ligj pritet të gjendet në rendin e ditës para deputetëve gjatë kësaj jave, për shkak se po afrohet afati i fundit, 7 qershor kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova duhet ta dorëzojë mandatin, ndërsa ligji duhet të sillet para formimit të qeverisë së re.