Shtetet anëtare të zonës Shengen në raste dhe situata të jashtëzakonshme mund të rikthejnë kontrollet kufitare për një periudhe maksimale prej gjashtë muajve, kanë qartësuar burime në selinë e Komisionit të Evropës në Bruksel.
Një zyrtar i lartë i Komisionit të Evropës, i cili deshi të mbetet anonim, tha se rregullat e Shengenit i lejojnë shteteve anëtare vendosjen e kontrolleve kufitare deri në 30 ditë, me mundësi që këto masa të ripërtërihen maksimalisht gjashtë herë me radhë.
Kufijtë mund të kontrollohen në mënyrë sistematike vetëm në raste të situatave të jashtëzakonshme, të cilat sipas rregullave të Shengenit ndahen në situata të parashikueshme dhe të paparashikueshme.
Afati i përmendur prej gjashtë herë nga një muaj vlen vetëm për situatat e parashikueshme, ndërsa në rastin e situatave të paparashikueshme kufijtë mund të kontrollohen më së gjati dy muaj, respektivisht gjashtë herë nga 10 ditë.
E drejta për kontrollin e kufijve për shkak të një situate të paparashikueshme deri me tani është shfrytëzuar vetëm një herë dhe atë në vitin 2011, kur Norvegjia riktheu kontrollet, pas sulmeve terroriste të ndërmarra nga Anders Brejvik në Osllo dhe në ishullin Utoja.
Në Bruksel u qartësua se Gjermania ka vepruar në përputhje me rregulloret, pasi që ka njoftuar paraprakisht Komisionin për kthimin e kontrollit në kufi me Austrinë, por se këtë nuk e ka bërë edhe Austria, e cila njoftoi sot se do të angazhoi ushtrinë, për të kontrolluar kufirin me Hungarinë./21Media
