Floktar. Kandidat për këshilltarë dhe kryetarë komune. Ka pasur 74 vjet. Ka poseduar veturë të markës Citroen dhe ka qenë një nga banorët më të respektuar të Velesit. Më 24 nëntor vajza e tij e denoncon si të humbur, pasi që nuk ka arritur ta kontaktojë dy ditë. E thyejnë derën e shtëpisë së Panços, ndërsa brenda gjejnë një ngrohëse të kyçur, çantë në të cilën mungonin letërnjoftimi dhe kartelat bankare. Policia menjëherë filloi të gjurmojë pas Pançe Zhezhovskit.
Më 27 nëntor, së pari nëna, e më pas edhe babai në stacion policor kanë denoncuar se është zhdukur vajza e tyre Vanja Gjorçevska. Policia që të dyja rastet i ka udhëhequr veçmas, për shkak se nuk ka pasur dëshmi, gjurmë e as dyshime se rasti nga Velesi dhe ai i Shkupit në ndonjë mënyrë janë të lidhura. Prindërit e Vanjës, që janë të divorcuar, nuk kanë theksuar në denoncimin se kanë marrë kërcënime, se janë shantazhuar apo dyshime për zhdukjen e vajzës së tyre. Polica gjurmoi 7 ditë pas Vanjës. Nuk arriti që të gjejë dëshmi, por gjeti një veturë të djegur e cila ka qenë në pronësi të pensionistit nga Velesi. Për shkak të raporteve të papastruara me njërin nga të dyshuarit, ai është vrarë, ndërsa automjeti i tij Citroen është marrë dhe është përdorur gjatë kidnapimit të të miturës.
“Ne veturën në Sejf Siti e gjetëm më 27 nëntor se ka lëvizur nëpër Shkup. Vetura nuk ka lëvizur nga data 22 deri më datën 27. Ajo është vërejtur në Shkup më datën 27 kur vërtetohet se vetura Citroen dhe vetura Reno Kango lëvizin së bashku dhe këtu arrihet lidhja e dy aktiviteteve. Për shkak se u konfirmua se ai Citroen është vetura e djegur që u gjet në afërsi të Shkupit, kjo është arsyeja për lidhshmërinë e rasteve.”- deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Mëngjesi i 27 nëntorit. Vrasësit me veturë e kanë pritur Vanjën para hyrjes. Babai i saj i ka informuar se atë ditë ajo vetë do të shkojë në shkollë ndërsa e kanë ditur edhe kohën e saktë.
“Që nga hyrja e ndërtesës e marrin dhe në një thes për fjetje me duar dhe këmbë të lidhura e vendosin në bagazhin e veturës. Para veturës së tipit Citroen gjendet vetura Reno Kango që tërë kohën po lëviz para tyre dhe vajzën e kanë sjellë jashtë Shkupit. Sipas dëshmitarëve, atje është kryer vrasja ndërsa pas kësaj e kanë djegur veturën.”- tha Oliver Spasovski, Ministër I Brendshëm.
“Këto janë mbetjet e veturës së tipit Citroen në pronësi të Panço Zhezhovski nga Velesi që u përdor për ta rrëmbyer 14 vjeçaren Vanja. Pasi u vra, në këtë vend e kanë djegur veturën.”
Prapavija e rastit me vajzën 14 vjeçare Vanja Gjorçevska e cila u zhduk para 7 ditëve ndërsa dje u gjet e vdekur, ishte që t’i marrin para nënës së Vanjës, në këtë rast ishte përfshirë edhe një anëtar i familjes, ndërsa organizatori i gjithë kësaj është edhe kryerësi i vrasjes.
Viktimat pasi u vranë, i kanë varrosur. Lokacionin ku është gjetur trupi i Vanjës ende e siguron policia dhe qasja është e ndaluar. Policia e ka bllokuar rrugën ndërsa për shkak të hetimit nuk do ta zbulojmë vendin ku është bërë gropa.
Televizioni Telma publikoi një video incizim nga lokacioni ku është gjetur edhe trupi i njeriut nga Velesi. Atje, sipas informacioneve të televizionit për momentin nuk ka njësi policore dhe ka qasje deri te vendi.
Të gjithë anëtarët e grupit janë të një partie politike ku dje është bërë bastisje ndërsa nga Prokuroria në pyetjen e TV21 thonë se do të hetohet nëse grupi paraprakisht ka kryer edhe vrasje të tjera.
