Dyshime për konkurse të kurdisura në Byronë për Furnizime Publike.
Dje janë shpallur 12 vende për punësim, por shkollimi që kërkohet për disa vende lë hapësirë të dyshohet se punësimet janë të kurdisura paraprakisht.
Nëse për 8 vende pune kandidatit i kërkohet vetëm fakulteti ekonomik ose ai juridik, që është i duhuri për këto pozita, në 4 vende të tjera pune kërkohet që kandidatët të kenë të përfunduar shkencat politike ose gjuhë dhe letërsi.
Kështu, për pozitën Udhëheqës i sektorit për kontroll konkursi kërkon që kandidati të ketë përfunduar fakultetin ekonomik ose shkenca politike, ndërsa për ndihmësin e po këtij udhëheqësi ekonomiku nuk kërkohet aspak, për vetëm drejtësia ose shkollim i lartë për gjuhë dhe letërsi.
Gjithashtu edhe për pozitat Udhëheqës i njësisë për kontrolle administrative dhe udhëheqës i njësisë për kontroll sipas procedurave paraprake, kërkohet që kandidati të ketë mbaruar edhe Shkencat politike.
Burime që deshën të mbeten anonime, i thanë TV21 se këto shkollime kërkohen sepse paraprakisht dihet se kush do t’i fitojë ato vende pune.
E pyetëm Ministrin e Administratës Damjan Mançevski se si është e mundur që për këto pozita të punësohen persona që kanë mbaruar Letërsi ose Shkenca politike, kur dihet se sektorët për kontroll në Byronë e Furnizimeve Publike parashihet që të monitorojnë nëse tenderët janë në rregull ose jo.
Mançevski përmes telefonit i tha TV21 se për këtë do të përgjigjet të hënën, pasi ta ketë kontrolluar sistemin për burime njerëzore.
Kontaktuam edhe Drejtorin e Byrosë për Furnizime Publike Bardhyl Nasufin. Ai na tha se tek pjesa ku kërkohet fakulteti i Gjuhës dhe letërsisë mund të jetë bërë ndonjë gabim, por tek pjesa tjetër nuk sheh ndonjë parregullsi në konkurs. Nasufi tha se ditën e hënë do ta sqarojë këtë çështje.
Përgatiti: Besir Arifi
