Konjufca për situatën në veri të Mitrovicës: “Nuk lejojmë që Vuçiqi të komandojë në Kosovë përmes bandave kriminale”

TË FUNDIT

Serbia me veprimet e veta dëshiron që situata në Veri të Mitrovicës të eskalojë në përmasa më të gjera. Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca i cili ka qëndruar sot në Shkup. Ai shtoi se Kosova është e përcaktuar për dialog dhe kërkon që Bashkësia ndërkombëtare të jetë më e zëshme në dënimin e këtyre veprimeve të orkestruara nga Beogradi, ndërkaq theksoi se nuk do të lejojë që Vuçiq përmes bandave kriminele të komandojë në Kosovë.

“Ato e kanë qëllim destabilizimin e Kosovës, ndarjen defakto të shtetit të Kosovës. Ne si popull qëndrojmë shumë të bashkuar që t’i luftojmë këto veprime, të cilat poashtu kanë si prapavijë gjeopolitike ndikimin rus. Këta eksponentë siç e dini ju janë në listën e zezë të SHBA-ve, tani edhe të Britanisë së Madhe dhe urojmë që një ditë të jenë edhe në listën e zezë të BE-së. Ne nuk do të lejojmë që brenda territorit të Kosovës Vuçiqi të komandojë përmes bandave”, tha Glauk Konjufca – kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, fton edhe Kosovën edhe Serbinë që të veprojnë në mënyrë racionale. Thotë se mbështet marrëveshjen përfundimtare të pranueshme për dy palët.

“Në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd, qëndrimi ynë është i njëjtë si edhe më parë, mbështetje e plotë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje me të cilën do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi. Natyrisht, marrëveshja e arritur për targat e regjistrimit me ndërmjetësimin e BE-së është akt i cili ndikon në uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, është shenjë pozitive dhe nxitje për vazhdimin e negociatave deri në normalizimin e raporteve mes dy vendeve. Në kontekst të bashkëpunimit ekonomik si nxitës plotësues i avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, e mbështesim plotësisht”, deklaroi Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit të RMV-së.

Xhaferi në konferencën e përbashkët me homologun nga Kosova, Glauk Konjufca theksoi se Maqedonia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe multilaterale. Homologët thanë se vazhdojnë të kenë marrëdhënie bilaterale konstruktive dhe intensive dhe se mbështesin nismën për mbajtjen e një seance të radhës të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.