Maqedonia e Veriut i ka bërë detyrat e shtëpisë për ta merituar anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, pohon kongresmeni amerikan Eliot Engel në një intervistë ekskluzive për TV21.
Nëse do të duhej që unë të votoja, vota ime do të ishte “pro” anëtarësimit, thotë Engel, duke përmendur zgjidhjen e çështjes së emrit dhe ndryshimet kushtetuese, megjithatë shton se jo gjithçka është perfekte.
“Korrupsioni është ai për të cili ne gjithnjë jemi të brengosur, duhet të ketë luftë të vazhdueshme për ta pastruar korrupsionin. Nuk është vetëm tek një shtet, por ka korrupsion në shumë vende të Ballkanit, andaj mendoj se pastrimi i korrupsionit duhet të jetë me prioritet. Mendoj se kur sheh se si kanë qenë, si janë dhe mundësitë për të ardhmen, mendoj se Maqedonia e Veriut meriton konsiderata serioze nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian”, deklaroi Kongresmeni amerikan Eliot Engel.
Engel mendon se Kryeministri po bën më të mirën në luftën ndaj de politizimit të institucioneve por sipas tij kjo nuk mund të bëhet brenda natës, andaj duhet t’i jepen më shumë shanse, sepse siç shton edhe vetë SHBA-të kanë probleme.
I pyetur nëse Zaev ka arritur t’i shkëpusë lidhjet e Maqedonisë së Veriut me ndikimet e jashtme malinje, Engel tha se këtë gjë do ta dëshmojë koha. Ndikimet malinje, si ato ruse, Engel thotë se duhet mbajtur sa më larg Ballkanit, për të vazhduar kështu në ndërtimin e demokracisë.
“Unë personalisht mendoj se sistemi i vjetër autokratik rus është një relikë e së kaluarës dhe mendoj se njerëzit këtu do t’ia dilnin më mirë mbanë duke punuar me SHBA-të si shtet i pavarur dhe i lirë. E dini se Rusia nuk punon falas me ju. Rusia përpiqet të manipulojë dhe këtë e kemi parë disa herë kështu që mendoj se kur njerëzit shohin se cila është më e mira për ta, i shohin SHBA-të dhe gjërat që admirojnë. Edhe ne bëjmë disa gabime por jemi të lirë dhe nxisim pavarësinë dhe demokracinë liberale”, tha Engel për TV21.
Engel dje u takua me Kryeministrin Zaev ndërsa sot u prit nga Kryeparlamentari Xhafer. U ka thënë atyre se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin për rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, dhe se ai është i gatshëm të bëjë gjithçka që mundet për të arritur këto aspirata të vendit.
Përgatiti: Besir Arifi
