​Kongresistët amerikanë sot vizitojnë Luginën e Preshevës

TË FUNDIT

Dy kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, do ta vizitojnë sot (e martë) Luginën e Preshevës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se e mirëpresin delegacionin amerikan.

“Një moment historik për Luginën”, e ka konsideruar ajo vizitën që pritet të ndodhë sot, përmes një reagimi në Facebook.

Sinani tha më vonë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se para kongresistëve synon t’i theksojë disa nga problemet kryesore me të cilat përballet popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës.

“Para së gjithash, bëhet fjalë për përfaqësimin e pamjaftueshëm institucional të shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështjen e pasivizimit të adresave, mosnjohjen e diplomave të fituara në Republikën e Kosovës, zhvillimin e pabarabartë ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë dhe shpërnguljen e vazhdueshme të të rinjve”, tha ajo.

Ajo shtoi se gjithashtu do të shtjellohet edhe nevoja e zbatimit të qëndrueshëm të marrëveshjeve të arritura më herët, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, si dhe çështja e bllokimit të mjeteve financiare të autoriteteve kosovare për mbështetjen e popullsisë shqiptare në Luginë.

“Në veçanti do të hapim edhe çështjen e paralajmëruar të vendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe shqetësimin e qytetarëve në Luginën e Preshevës lidhur me këtë çështje, si dhe nevojën që të gjitha proceset të zhvillohen me besim të plotë dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, theksoi Sinani.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti i Serbisë kanë arritur tri marrëveshje, në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashikojnë mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por këto marrëveshje nuk janë zbatuar.

Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Me iniciativën e kongresistit Self, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan në janar të këtij viti një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.