“Konfliktet e ngrira që ende janë të pranishme në Ballkan mbështeten nga Moska” tha një zyrtar i NATO-s në një brifing me gazetarë, duke shtuar se Rusia përpiqet të ndikojë vendet e rajonit, në dëm të stabilitetit politik dhe çëshjeve të sigurisë. E sa i përket kontesteve në Ballkan, Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në një intervistë për TV21 tregoi se në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s ka theksuar rëndësinë e arritjes së Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, që siç shtoi, nënkupton mbylljen e një çështjeje të rëndësishme në Ballkan dhe hapje e rrugës për anëtarësimin në BE dhe në NATO.
“Janë 4 shtete në NATO të cilat nuk e njohin Kosovën, çështje që sigurisht duhet rregulluar përpara se të bëhet anëtarësimi i Kosovës në NATO. Unë gjithmonë në çdo paraqitje time kërkoj nga vende anëtare të NATO-s që të vazhdojnë dhe inkurajojnë procesin e anëtarsimit të vendeve të Ballaknit perëndimor, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës në NATO, për shkak se kjo e konsolidon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit por jam i sigurt se me implementimin e obligimeve të marra nga Marrëveshja e Ohrit II ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, këta mosnjohës të NATO-s dhe BE-së do ta njohim Kosovën dhe kjo pastaj do ta çel rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO.”- dekalroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, RMV.
Ndikimet ruse në rajon i përmendi edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim partnerët tanë në përballjen me trysninë nga Rusia, përfshirë Moldavinë, Gjerogjinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën.”- tha Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.
Krahas momentit historik të anëtarësimit të plotë të Finlandës në NATO, në këto dy ditët e takimit të Ministrave të Jashtëm u tha po ashtu se edhe Suedia duhet të anëtarësohet në NATO sa më shpejtë që është e mundur. Në takimin e komisionit NATO-Ukrainë u ra dakord që të vazdohet mbëshetja ushtarake ndaj Kievit si domosdoshmëri për ti bërë ballë agresionit rus. E për të përforcuar vetë NATO-n, ministrat po ashtu folën për buxhetin për mbrojtje.
“Në Samitin në Vilnius pres që aleatët të pajtohen për një zotim të ri ambicioz për 2% të BPV-së si minimum dhe jo maksimum.”- Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.
Në një botë më të rrezikshme dhe të paparashikueshme, është edhe më e qartë se siguria nuk është rajonale, por është globale, u shpreh Stoltenberg në takimin që pati me partnerët Indo-Paqësor të NATO-s: Australinë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut dhe Japoninë, për të cilët tha se qëndrimin së bashku si partnerë edhe më i rëndësishëm kur shihet se Kina dhe Rusia po bashkëpunojnë çdo ditë e më shumë. Mbledhja e ardhshme e NATO-s është në korrik, në Samitin në Vilnius të Lituanisë. Besir Arifi, TV21, Bruksel.
