Konfirmohet padia për BBC, presidenti amerikan kërkon deri në 5 mld dollarë dëmshpërblim

TË FUNDIT

Presidenti Donald Trump, ka deklaruar se do të padisë BBC-në për një shumë që varion nga 1 deri në 5 miliardë dollarë, duke e akuzuar transmetuesin britanik se ka manipuluar një pjesë të fjalimit të tij në emisionin Panorama. Trump e konfirmoi padinë teksa udhëtonte me Air Force One.

“Do t’i padisim. Do t’i padisim për nga një deri në pesë miliardë dollarë, ndoshta javën e ardhshme”, u tha ai gazetarëve. “Duhet ta bëjmë. Ata vetë e kanë pranuar që mashtruan. Ndryshuan fjalët që dilnin nga goja ime.”

Ai tha gjithashtu se do të diskutonte këtë çështje me kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer, gjatë fundjavës, duke pretenduar se “populli i Mbretërisë së Bashkuar është shumë i zemëruar… sepse kjo tregon se BBC është ‘fake news’”.

Në një deklaratë të veçantë për GB News, Trump shtoi: Nuk jam njeri që kërkon procese gjyqësore, por kam një detyrim ta bëj. Ishte diçka kaq e rëndë. Nëse nuk reagojmë, nuk e ndalojmë që të ndodhë sërish me të tjerë.

The Daily Telegraph raportoi se një memo e brendshme e BBC-së kishte ngritur shqetësime për mënyrën si ishte montuar fjalimi i Trump të 6 janarit 2021, pak para se turma të sulmonte Kapitolin në dokumentarin Trump: A Second Chance?, i transmetuar pak para zgjedhjeve të vitit të kaluar në SHBA.

Pretendimet lidhen me ndërthurjen e disa pjesëve të fjalimit për të krijuar përshtypjen se Trump u kishte thënë mbështetësve se do të ecte me ta drejt Kapitolit “për të luftuar me çdo kusht”.

Pas reagimeve të forta publike, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie dhe drejtoresha ekzekutive e BBC News, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen.

Të enjten, BBC i kërkoi zyrtarisht falje presidentit, duke e cilësuar incidentin “gabim gjykimi”, dhe njoftoi se programi “nuk do të transmetohet më në këtë formë”.

“BBC shpreh keqardhje të sinqertë për mënyrën se si u montua videoja”, tha një zëdhënës, por shtoi se “ne nuk pajtohemi se ekziston një bazë ligjore për një padi për shpifje”.

Më herët gjatë javës, avokatët e Trump kërcënuan se do të ndërmerrnin padi 1 miliardë dollarëshe nëse BBC nuk do të kërkonte falje, të tërhiqte klipin dhe të paguante kompensim. Megjithatë, ekspertët ligjorë paralajmëruan se Trump do të përballej me vështirësi për të çuar çështjen në gjykatë, si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në SHBA.

Afati ligjor për të paditur në Britani ka skaduar, pasi dokumentari u transmetua në tetor 2024 më shumë se një vit më parë, ndërsa në SHBA çështja është e komplikuar sepse programi nuk është transmetuar atje, duke e bërë të vështirë të provohet se reputacioni i Trump është cenuar para publikut amerikan.

Transmetuesi britanik ka bërë të ditur se po shqyrton edhe akuzat e reja, të publikuara nga The Telegraph, se emisioni Newsnight mund të ketë montuar në mënyrë selektive pamje të të njëjtit fjalim në një raport të qershorit 2022. “BBC mban standardet më të larta redaksionale. Kjo çështje na është sjellë në vëmendje dhe po e shqyrtojmë”, tha një zëdhënës i institucionit.